Një projekt kriminal që i përfshinte 26 viktima të mundshme, mes tyre biznesmenë të pasur, një reper të njohur dhe madje edhe Kylian Mbappén.
Detajet kanë dalë në dritë nga një hetim i zhvilluar në Francë ndaj Clément L., i njohur me nofkën “Lester Z”, një 18-vjeçar i dyshuar si kreu i një bande të përfshirë në grabitje, sulme dhe tentativa për rrëmbime, shkruajnë mediat franceze, përcjell “Gazeta Express”.
I riu është vënë zyrtarisht nën akuzë më 21 gusht 2026 në Nanterre për grabitje në kuadër të një bande të organizuar dhe shfrytëzim prostitucioni.
Sipas hetuesve, ai kishte planifikuar një seri veprimesh kriminale mes 11 prillit dhe 19 gushtit, në zonat Neuilly-sur-Seine, Saint-Brice-sous-Forêt dhe Santenay.
Mes objektivave të identifikuar nga banda ishin persona me pasuri të mëdha: biznesmenë, një artist i njohur i muzikës rap dhe edhe ylli i Real Madridit dhe kombëtares së Francës, Kylian Mbappé.
Grupi dyshohet se kishte studiuar mënyra për t’i sulmuar dhe rrëmbyer viktimat e tij në banesat e tyre.
Plani kriminal i përfshinte gjithsej 26 viktima të mundshme, ndërsa hetuesit po përpiqen t’i zbardhin të gjitha detajet e këtij rrjeti dhe mënyrën se si ishin përzgjedhur objektivat.
Clément L. ndodhej tashmë në paraburgim për vepra të tjera të rënda dhe pas procedimit të ri është vendosur në izolim.
Një bashkëpunëtor i tij i dyshuar, ndërkohë, është liruar, por i është vendosur masa e kontrollit gjyqësor.
“Ky djalë ishte tashmë në burg për vepra të rënda dhe tani e gjejmë sërish të përfshirë në një çështje të re që lidhet me një reper dhe një futbollist me famë botërore. Vetëm izolimi mund ta bëjë ta kuptojë seriozitetin e situatës”, deklaroi prokurori i përgjithshëm përpara dhomës së hetimit në Versajë.
18-vjeçari e kishte kundërshtuar si ndalimin e tij, ashtu edhe regjimin e izolimit. /Gazeta Express
