“Duhet të fillojmë të marrim vendime shumë të rëndësishme nëse duam ta bëjmë një hap përpara. Do të na duhen ambicie, shpejtësi dhe inteligjencë.”

Kështu ishte shprehur Mikel Arteta për afatin kalimtar të verës 2026, pas humbjes në finalen e Champions League ndaj PSG-së.

Trajneri spanjoll e kishte identifikuar një nevojë të qartë: t’i shtonte skuadrës lojtarë të aftë që, përmes një aksioni individual, ta ndryshonin fatin e ndeshjeve.

Tashmë që afati kalimtar është mbyllur, bilanci lë disa pikëpyetje. Arsenali i ka kompletuar katër transferime: portierin rezervë Meslier, anësorin ofanziv Christos Tzolis, mesfushorin Bruno Guimarães dhe mbrojtësin qendror Ezri Konsa.

Përforcime të rëndësishme, veçanërisht për dy repartet që sezonin e kaluar e përbënin forcën e “Gunners”: mesfushën dhe mbrojtjen.

Guimarães i shton cilësi dhe personalitet mesfushës, ndërsa Konsa e ofron një alternativë të vlefshme për Saliban, i cili është përballur me probleme fizike.

Problemi kryesor, siç thekson edhe “Footmercato”, mbetet sulmi, përcjell “Gazeta Express”.

Arsenali e kërkonte një lojtar që do të sillte paparashikueshmëri dhe epërsi në duelet një kundër një, por në fund Tzolis ka mbetur i vetmi emër i ri në repartin ofanziv.

Në të njëjtën kohë, klubi i ka humbur katër lojtarë: Leandro Trossard, Gabriel Martinelli, Gabriel Jesus, i cili u transferua te Barcelona në orët e fundit të afatit kalimtar, si dhe Ethan Nwaneri, që kaloi te Borussia Dortmund.

Një “pazar” që, më shumë sesa e ka përforcuar repartin ofanziv, duket se e ka dobësuar atë.

Tzolis është një talent interesant, por nuk duket si lojtari që do t’ia japë sulmit londinez atë hapin përfundimtar të cilësisë.

Në këtë drejtim peshojnë edhe negociatat që nuk u realizuan. Arsenali e ndoqi Morgan Rogersin, por konkurrenca dhe kostoja e operacionit favorizuan Chelsean.

Më pas ishte tentativa për Vinicius Junior, një pistë shumë tërheqëse, por jashtëzakonisht e komplikuar, e cila përfundoi me vazhdimin e brazilianit me Real Madridin.

Në fund ishte Julian Alvarez, i cili nuk i ka konsideruar asnjëherë realisht “Gunners” si destinacion të tij, pasi në mendje e kishte vetëm Barcelonën.

Koha dhe burimet u shpenzuan për objektiva të vështirë për t’u arritur, ndërsa mundësi të tjera u humbën.

Lojtarë si Bradley Barcola apo Malick Fofana mund të kishin qenë pikërisht ai transferim ofanziv që do t’ia ndryshonte fytyrën skuadrës.

Kështu, Arteta do ta nisë sezonin me një skuadër më të fortë në disa reparte, por me më pak alternativa dhe më pak fantazi në fazën sulmuese.

Arsenali mbetet një skuadër konkurruese, por hapi i shumëpërfolur i cilësisë në sulm nuk erdhi. /Gazeta Express