LSDM: Klekovski dhe Mickoski po dështojnë në menaxhimin e krizës me ethet e Nilit Perëndimor
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar për rritjen e numrit të rasteve të prekura nga ethet e Nilit Perëndimor, duke akuzuar Qeverinë dhe institucionet shëndetësore për menaxhim të dobët të situatës.
Sipas LSDM-së, deri më 1 shtator të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 56 raste të etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa shtatë persona kanë humbur jetën.
Kjo parti pretendon se vendi renditet i pari në Evropë për numrin e rasteve për frymë, duke lënë pas vende si Italia, Greqia dhe Rumania.
“Ashtu si gjatë krizës shëndetësore të helmimeve në Gostivar, edhe këtë herë institucionet shëndetësore reaguan me vonesë. Qeveria nuk ka kapacitet për ta parandaluar krizën dhe për ta mbrojtur shëndetin e qytetarëve, por reagon vetëm pasi situata të përshkallëzohet,” thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Partia opozitare kritikoi gjithashtu kryetarin e Bashkisë së Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke theksuar se spërkatja kundër mushkonjave nuk është kryer në kohën e duhur.
Sipas LSDM-së, sistemi i parandalimit, mbrojtjes dhe kontrollit të sëmundjeve që transmetohen nga vektorët nuk funksionon, ndërsa institucionet përgjegjëse reagojnë vetëm ndaj pasojave të epidemisë.
“Çmimin e këtij mosfunksionimi e paguajnë qytetarët me shëndetin e tyre,” përfundon reagimi i LSDM-së.
