Policia ka arrestuar këngëtarin Jozefin Marku, i cili u gjet i fshehur në banjon e banesës së një shoku, si dhe ka zbuluar detaje të reja rreth hetimit për dhunimin e 26-vjeçarit Eduard Kuçi. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë.

Burime policore bëjnë me dije se Marku u gjet i fshehur në tualetin e banesës së Kristjan Nikollit, 31 vjeç, i cili gjithashtu është vënë në pranga. Ndërkohë, Anton Huli, 48 vjeç, dhe Kevin Vuthaj, 27 vjeç, janë shpallur në kërkim si të dyshuar për përfshirje në ngjarje.

Ngjarja mori dhenë pas publikimit të videove të konfliktit në rrjetet sociale, ku shfaqet momenti i përplasjes fizike mes Markut dhe Eduart Kuçit.

Sipas hetimeve, konflikti dyshohet se ka nisur pas disa deklaratave fyese dhe kërcënimeve me hakmarrje të bëra nga Kuçi ndaj Markut në rrjetet sociale. Pak kohë më vonë, dy palët u përballën fizikisht te mbikalimi i Rinasit, ku debati përshkallëzoi në dhunë.

Në pamjet e bëra virale dëgjohet Jozefin Marku duke i kërkuar Kuçit llogari për deklaratat e tij, ndërsa në një moment i drejtohet me fjalët: “Ulu në gjunjë dhe kërko falje! Mos e zgjat”.

Sipas policisë, Jozefin Marku akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.

Ndërsa Kristjan Nikolli, 31 vjeç, i dyshuar si drejtues i automjetit tip “Land Rover” të përdorur ditën e ngjarjes, akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, si dhe bashkëpërfshirje në “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”.