Përplasja mes KF Rilindjes dhe KF Arbërisë ka vazhduar edhe pas përfundimit të ndeshjes, me të dy klubet që kanë reaguar publikisht për ngjarjet e ndodhura pas takimit.

Fillimisht ishte KF Arbëria që publikoi një komunikatë zyrtare, duke dënuar atë që e cilësoi si incident të rëndë pas ndeshjes. Klubi pretendoi se “persona zyrtarë të klubit kundërshtar, së bashku me disa tifozë”, kishin sulmuar pjesëtarë të stafit dhe futbollistë të Arbërisë.

Sipas Arbërisë, disa lojtarë dhe pjesëtarë të stafit kishin pësuar lëndime dhe kishin marrë tretman mjekësor nga ekipet e Ndihmës së Shpejtë, ndërsa klubi kërkoi nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe Policia e Kosovës që ta hetonin rastin dhe të merrnin masat ndaj personave përgjegjës.

Tash ka ardhur kundërpërgjigjja e KF Rilindjes, e cila i ka cilësuar pretendimet e Arbërisë si “të rënda dhe të pavërteta”.

Rilindja pretendon se pas përfundimit të ndeshjes, e cila përfundoi me fitoren 3:1 të klubit vendas, pati konfrontime mes trajnerit kryesor të Arbërisë, trajnerit të portierëve dhe gjyqtarëve të takimit.

Klubi vendas veçon në reagimin e tij trajnerin e portierëve të Arbërisë, për të cilin thotë se nuk ka qenë pjesë e protokollit zyrtar të ndeshjes.

“Pas përfundimit të saj, në vend të respektit për rezultatin sportiv, pati konfrontime të trajnerit kryesor të KF Arbëria dhe trajnerit të portierëve me gjyqtarët e ndeshjes”, thuhet në komunikatën e Rilindjes.

Rilindja thekson se, si klub vendas, kishte përgjegjësi për mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve dhe se kishte vepruar në këtë drejtim.

Klubi gjithashtu ka kundërshtuar mënyrën se si Arbëria e ka paraqitur ngjarjen në publik, duke pretenduar se është krijuar një version i njëanshëm që tenton ta bëjë Rilindjen përgjegjëse për incidentin.

Përplasja tashmë ka marrë edhe dimension institucional dhe ligjor.

KF Rilindja ka bërë të ditur se ka iniciuar hapa institucionalë dhe ligjorë lidhur me atë që e konsideron shpifje, deklarime të rreme dhe cenim të reputacionit të klubit, duke përfshirë edhe publikimet mediatike që kanë përcjellë pretendimet e Arbërisë.

“Nuk do të heshtim. Nuk do të tolerojmë shpifje. Dhe nuk do të lejojmë askënd të dëmtojë emrin e KF Rilindja”, thuhet në reagimin e klubit.

Rilindja e ka mbyllur komunikatën me një mesazh të fuqishëm, duke theksuar se futbolli kërkon respekt, fair-play dhe përgjegjësi.

“3:1 në fushë. Dinjitet jashtë saj. Rilindja nuk njolloset. Rilindja mbrohet.”

Tash mbetet të shihet nëse FFK-ja dhe organet kompetente do të ndërhyjnë për të sqaruar plotësisht ngjarjet e ndodhura pas ndeshjes dhe nëse do të ketë masa ndaj personave të përfshirë.