Haziri: Mundësitë janë të pakta që gjashtë deputetët e LDK-së të ndryshojnë qëndrimin për presidentin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur lidhur me qëndrimin e gjashtë deputetëve të kësaj partie, të cilët nuk e votuan kandidatin për president, Bekim Sejdiun.

Gjatë një interviste për emisionin “Click” në RTV21, Haziri deklaroi se mundësitë janë të pakta që këta deputetë të rishikojnë qëndrimin e tyre. Ai e lidhi situatën e krijuar me procesin e propozimit të një kandidati konsensual mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Sipas tij, fakti që kandidati konsensual nuk vinte nga strukturat partiake dhe nuk kishte përvojë politike apo partiake, ka sjellë dallime në qëndrimet e deputetëve lidhur me votimin.

“Dallimi në votim nuk është dallimi në pjesëmarrjen në parti, grup parlamentar. Kjo është një çështje ku mendimi i secilit prej nesh është dhënë me besim. Besoj se ka shumë pak mundësi që ai qëndrim të ndryshohet tash,” deklaroi Haziri.

Ai theksoi se, pavarësisht divergjencave për votimin, LDK-ja vijon të funksionojë si një strukturë unike.

“Ne mbetemi një parti, një strukturë, një organizim, një grup parlamentar, me një kryetar të vetëm,” tha Haziri.

Haziri u shpreh gjithashtu se demokracia parlamentare duhet të ruhet dhe se dallimet brenda partisë duhet të trajtohen përmes dialogut.

“Unë jam në favor të kësaj forme, duhet të bisedojmë shumë, të dialogojmë shumë,” u shpreh ai.

Në fund, Haziri tha se grupi parlamentar i LDK-së vazhdon të ketë 18 deputetë, në përputhje me rezultatin e fundit zgjedhor.

“Grupi parlamentar i LDK-së është i njëjtë sipas rezultatit të fundit zgjedhor, 18 deputetë janë të njëjtë, asgjë nuk ka ndryshuar,” deklaroi Haziri.