Sot pritet shpallja e aktgjykimit për çështjen e njohur si “53-milionëshi”, ku ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, së bashku me tre të akuzuar të tjerë, përballen me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Përveç Lekajt, në këtë rast gjyqësor akuzohen edhe ish-këshilltari i tij politik, Eset Berisha; ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri; si dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik në të njëjtën ministri, Besim Tahiri.

Çështja aktuale është në rigjykim, pasi Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2025, anuloi aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore dhe e riktheu rastin për rivendosje.

Në gjykimin e parë, Pal Lekaj ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, si dhe me ndalimin për 3 vjet e 6 muaj të ushtrimit të funksioneve në administratën publike. Po ashtu, Eset Berisha ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim dhe me ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 3 vjet. Nebih Shatri dhe Besim Tahiri ishin dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burgim dhe me nga 2 vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

Sidoqoftë, të gjitha këto dënime u anuluan nga Gjykata e Apelit, duke mos përbërë një vendim përfundimtar. Për rrjedhojë, sot pritet një vendim i ri nga Gjykata Themelore, pas përfundimit të procesit të rigjykimit.

Gjatë seancës së fundit të rigjykimit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbajti qëndrimin e saj ndaj aktakuzës, duke kërkuar shpalljen fajtor të Lekajt dhe të akuzuarve të tjerë, si dhe dënimin e tyre në përputhje me ligjin. Prokuroria gjithashtu kërkoi shqiptimin e dënimeve plotësuese, përfshirë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

Nga ana tjetër, pala mbrojtëse kundërshtoi pretendimet e Prokurorisë dhe kërkoi lirimin e të akuzuarve nga të gjitha akuzat.

Në fjalën e tij të fundit, Pal Lekaj deklaroi pafajësinë e tij. Gjatë gjithë rigjykimit, ai ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

**Për çfarë bën fjalë rasti i “53-milionëshit”?**

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ka në qendër pagesën shtesë prej 53 milionë e 100 mijë eurosh drejtuar kompanisë “Bechtel & Enka”, lidhur me zgjatjen e afatit për përfundimin e punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, segmenti Prishtinë–Hani i Elezit.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Lekaj dhe të tjerët të akuzuar, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare gjatë trajtimit të marrëveshjes për zgjatjen e afatit të punimeve për 347 ditë.

Prokuroria thekson se marrëveshja ishte nënshkruar pa përcaktuar paraprakisht koston financiare, duke i mundësuar kompanisë të kërkonte fillimisht rreth 63 milionë euro.

Pas negociatave, kjo shumë u reduktua në 53 milionë e 100 mijë euro dhe më pas u miratua për pagesë nga Qeveria e Kosovës.

Aktakuza thekson se veprimet e të akuzuarve dyshohet t’i kenë shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm në vlerë prej mbi 38 milionë eurosh, ndërkohë që kompania mbikëqyrëse “Hill International” kishte rekomanduar vetëm rreth 14.7 milionë euro.

Pal Lekaj dhe tre të akuzuarit e tjerë konsiderohen të pafajshëm, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë, derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.