**ARRU rinovon licencat për shtatë kompanitë rajonale të ujësjellësit dhe “Ibër-Lepencin” për pesë vjet**
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) ka rinovuar licencat e shërbimit për shtatë Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU), si dhe për ndërmarrjen hidroekonomike “Ibër-Lepenci”. Këto licenca të reja janë lëshuar për një periudhë pesëvjeçare, duke mbuluar periudhën nga 11 shtatori 2026 deri më 10 shtatori 2031.
Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në mënyrë solemne, ku licencat iu dhanë kryeshefave ekzekutivë të kompanive të mëposhtme:
* KRU “Prishtina”, Prishtinë;
* KRU “Hidroregjioni Jugor”, Prizren;
* KRU “Hidrodrini”, Pejë;
* KRU “Gjakova”, Gjakovë;
* KRU “Mitrovica”, Mitrovicë;
* KRU “Bifurkacioni”, Ferizaj;
* KRU “Hidromorava”, Gjilan;
* N.H. “Ibër-Lepenci”, Prishtinë.
Gjatë ceremonisë, zëvendësdrejtori i ARRU-së, Abedin Azizi, shprehu mirënjohjen ndaj kompanive për angazhimin e tyre në ofrimin e shërbimeve të ujit për konsumatorët, si dhe për bashkëpunimin e treguar gjatë procesit të licencimit. Azizi theksoi rëndësinë e licencimit si një nga përgjegjësitë thelbësore të ARRU-së, proces ky që vlerëson dhe verifikon kapacitetet teknike, financiare dhe menaxheriale të ofruesve të shërbimeve të ujit.
Ai shtoi se licenca përcakton detyrimet ligjore dhe rregullatore të ofruesve, shërbimet e tyre të licencuara, zonën e mbulimit dhe kushtet e operimit. “Licenca e shërbimit është përgjegjësi dhe detyrim për ju që të ofroni shërbime cilësore, efikase dhe të sigurta për të gjithë konsumatorët tuaj pa dallim, si dhe të kujdeseni për qëndrueshmërinë financiare të kompanive tuaja”, deklaroi zëvendësdrejtori Azizi.
Në emër të bordit të drejtorëve të SHUKOS-it, fjalën e mbajti kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu. Ai falënderoi ARRU-në për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar se kjo mbështetje ishte e pranishme jo vetëm gjatë procesit të licencimit, por edhe përgjatë gjithë veprimtarisë së kompanive.
Ceremonia përfundoi me dorëzimin zyrtar të licencave nga Abedin Azizi te drejtuesit ekzekutivë të KRU-ve dhe të N.H. “Ibër-Lepenci”. ARRU deklaroi se do të vazhdojë angazhimin e saj për të ofruar përkrahje dhe mbështetje për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve të ujit në Kosovë.
