Prokuroria Themelore në Pejë po heton një rast të dyshuar manipulimi votash, i cili lidhet me procesin zgjedhor të mbajtur më 28 dhjetor 2025. Deri më tani, janë pranuar nëntë kallëzime penale kundër 49 personave. Pritet që numri i kallëzimeve të arrijë në 31 dhe të përfshijë rreth 200 persona, shumica prej të cilëve janë kryetarë dhe komisionerë vendvotimesh në komunën e Pejës.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, konfirmoi për Ekonomia Online se hetimet janë në vazhdim dhe po kryhen në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës.

Nikçi shpjegoi se hetimet për manipulimin e votave, konkretisht numërimin e kandidatëve të subjekteve politike, po avancojnë. Për komunën e Pejës, prokuroria ka marrë tashmë nëntë kallëzime penale ndaj 49 personave dhe pret të marrë gjithsej 31 kallëzime penale kundër 200 personave, kryesisht kryetarë dhe komisionerë vendvotimesh. Ai theksoi se të gjitha veprimet ligjore do të ndërmerren nga Prokurori i Shtetit në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës.

Deri më tani, 49 persona janë intervistuar si të dyshuar për manipulim votash në zgjedhjet e lartpërmendura. Pritet që të intervistohen mbi 200 persona të tjerë vetëm për komunën e Pejës, si dhe të pranohen mbi 31 kallëzime penale ndaj tyre.

Pas pranimit të të gjitha kallëzimeve, Prokurori i Shtetit do t’i analizojë rastet. Nikçi bëri të ditur se, ndonëse faza aktuale e veprimeve ligjore është konfidenciale, opinioni publik do të informohet sapo të përfundojë i gjithë procesi.