**Prishtinë: Rama shpalos projektin ambicioz të “Tulltores” – hotel, restorante dhe qendra teknologjike**

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar dhe kërkuar mbështetjen e asamblistëve të Kuvendit Komunal për miratimin e një projekti madhor, i cili parashikon dhënien në shfrytëzim të zonës së njohur si “Tulltorja” në kryeqytet.

Gjatë një seance të Kuvendit Komunal të premten, Rama theksoi se projekti gëzon mbështetjen e Ambasadës Amerikane. Sipas tij, pas përfundimit të këtij projekti, Komuna e Prishtinës pritet të përfitojë rreth një milion euro në vit.

“Sot, në të njëjtin lokacion [Tulltores], po flasim për projektin e prezantuar në konferencën e investitorëve amerikanë, të mbështetur nga Ambasada amerikane. Po flasim për një qendër për zhvillimin e artit, kulturës dhe teknologjisë në Tulltore,” deklaroi Rama.

Prona komunale do të jepet në shfrytëzim për një periudhë 50-vjeçare. Kryetari theksoi se toka nuk do të falet, por do të mbetet pronë e kryeqytetit. “Toka mbetet pronë e kryeqytetit; jepet në shfrytëzim për t’u zhvilluar dhe për këtë shfrytëzim, kryeqyteti përfiton një milion euro në vit. Për 50 vjet, mbi 50 milionë,” u shpreh Rama. Pas përfundimit të afatit 50-vjeçar, ai garantoi se prona do t’i rikthehet kryeqytetit.

Gjithashtu, Rama nënvizoi rëndësinë e projektit për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore mes disa lagjeve dhe qendrës së qytetit. Duke iu drejtuar asamblistëve, ai argumentoi se vendimi i sotëm nuk është vetëm për një parcelë toke, por për të kthyer një pronë publike, aktualisht të pazhvilluar dhe të pasigurt, në një aset zhvillimor që do të gjenerojë të hyra, vende pune dhe do të shërbejë si vlerë për Prishtinën dhe gjeneratat e ardhshme.

Pak javë më parë, Komuna e Prishtinës tashmë ka miratuar lejen ndërtimore për një prej projekteve më të mëdha publike të planifikuara në zonën e “Tulltores”. Dokumentet përkatëse tregojnë se kjo hapësirë synon ndërtimin dhe rindërtimin e një kompleksi të gjerë administrativ, afarist, hotelier, kulturor dhe teknologjik.