Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre ndaj dhënies në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale në lokacionin e njohur si “Tulltorja”.

Gjatë fjalës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, asamblistët e LVV-së zhvilluan një akt simbolik, duke ngritur lart “pranga” dhe duke krijuar zhurmë përmes goditjes së tavolinave me duar.

Në përgjigje të këtij reagimi, kryetari Rama deklaroi se dhënia në shfrytëzim e kësaj prone i siguron kryeqytetit të ardhura prej një milion eurosh në vit.

Gjithashtu, Kuvendi Komunal i Prishtinës po mban sot një seancë ku pritet të shqyrtohen disa pika të tjera të rëndësishme të rendit të ditës, përfshirë këtu edhe themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Pastrimi Prishtina” SH.A.