**Inflacioni vjetor në Kosovë arrin 7.3% në gusht, transporti kryeson rritjen e çmimeve**

Çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë muajit gusht, duke arritur në 7.3 për qind në baza vjetore, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se vetëm brenda një muaji, krahasuar me korrikun e këtij viti, çmimet u rritën me 1.3 për qind.

Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar thellësisht nga sektori i transportit, ku çmimet u rritën me 21.1 për qind. Pas transportit, rritje të konsiderueshme janë regjistruar te strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse, me një shtrenjtim prej 11.8 për qind.

Në njoftimin e ASK-së theksohet se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në muajin gusht u ndikua edhe nga grupe të tjera kryesore, si: restorantet dhe shërbimet e akomodimit (5.4%), pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët (5.1%), shëndetësia (4.2%), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3.8%), mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e shtëpisë (3.4%), rekreacioni, sporti dhe kultura (3.4%), veshjet dhe këpucët (3.0%), ushqimet dhe pijet joalkoolike (2.6%), si dhe informacioni dhe komunikimi (0.6%).

E vetmja ulje çmimesh është shënuar në sektorin e shërbimeve arsimore, me 0.5 për qind.

Duke iu referuar inflacionit mujor, ASK saktëson se rritja prej 1.3 për qind, krahasuar me korrikun e këtij viti, u ndikua po ashtu kryesisht nga transporti me 4.6 për qind. Kjo rritje mujore u pasua nga: strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse (0.8%), mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore shtëpiake (0.5%), ushqimet dhe pijet joalkoolike (0.4%), shëndetësia (0.4%), informacioni dhe komunikimi (0.4%), rekreacioni, sporti dhe kultura (0.4%), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (0.3%), pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët (0.1%), veshjet dhe këpucët (0.1%), si dhe kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (0.1%).