Përgatitjet për “Marshin për Liri” përfundojnë në Prishtinë, pritet pjesëmarrje masive
**Prishtinë** – Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë janë finalizuar përgatitjet për “Marshin për Liri”, i cili do të nisë sot në orën 14:00. Ky marshim organizohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Platforma “Liria Ka Emër”, organizatore e ngjarjes, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve. Marshi zhvillohet pak para shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale, e cila është paralajmëruar për datën 16 shtator.
Ismail Tasholli, përfaqësues i kësaj platforme, u shpreh se, duke u bazuar në interesimin dhe gatishmërinë e treguar nga qytetarët, pritet që marshi të jetë shumë masiv.
“Marshi me siguri do të jetë shumë masiv, duke pasur parasysh entuziazmin dhe gatishmërinë e njerëzve për t’iu bashkuar thirrjes sonë qytetare për liri, nën moton ‘Kosova po pret’,” theksoi ai.
Tasholli bëri të ditur se në sheshin “Skënderbeu” po finalizohen detajet e fundit teknike, ndërsa skena (podiumi) është tashmë gati për fillimin e aktivitetit.
Ai theksoi se marshi ka për qëllim të përcjellë një mesazh thelbësor. “Kosova me të vërtetë po pret, po i pret çlirimtarët në shtëpinë e tyre,” tha Tasholli.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të nisen sa më herët drejt Prishtinës, në mënyrë që në orën 14:00 të jenë të pranishëm për të përcjellë bashkërisht mesazhin e organizatorëve.
“Është thelbësore që sot në orën 14:00 të përcjellim një mesazh të përbashkët: ‘Kosova po pret’. Jemi duke i pritur të gjithë,” përfundoi ai.
