Blloku politik i së majtës në Suedi po kryeson garën për formimin e një qeverie të re, sipas sondazheve të kryera në dalje të qendrave të votimit gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.
Transmetuesi publik SVT dhe kanali TV4 raportuan se blloku prej katër partish parashikohet të marrë 51,3% të votave, krahasuar me 46,8% që pritet të marrë e djathta.
Nëse ky rezultat konfirmohet, kjo do të thotë se liderja e Social-Demokratëve, Magdalena Andersson, do të bëhet kryeministrja e re e Suedisë – një post që ajo e ka mbajtur më parë në periudhën 2021-2022.
Kryeministri aktual konservator, Ulf Kristersson, ka premtuar poste në kabinet për aleatët e së djathtës ekstreme nëse ai mbetet në pushtet.
Kristersson është mbështetur në qeverisje nga partia e së djathtës ekstreme “Demokratët e Suedisë” (SD), e cila ka rrënjë neo-naziste.
Sondazhet në dalje të qendrave të votimit sugjeruan se kjo parti, e cila hyri në parlament në vitin 2010, do të pësojë një rënie të mbështetjes për herë të parë.
Suedia ka dy blloqe të mëdha politike, të përbëra nga katër parti të krahut të djathtë dhe katër të krahut të majtë; kjo do të thotë se qeveritë e koalicionit dhe ato të pakicës janë dukuri relativisht e zakonshme.
