Egli Tako feston sot 29-vjetorin e lindjes dhe këtë ditë të veçantë ka zgjedhur ta shënojë duke ndarë me ndjekësit disa kujtime personale nga fëmijëria, por edhe një mesazh motivues për nxënësit që nisin vitin e ri shkollor.

Përmes disa videove të publikuara në Instagram Story, Egli tregoi se 14 shtatori ka pasur gjithmonë një domethënie të veçantë për të, pasi për shumë vite ditëlindja e saj përkonte me ditën e parë të shkollës.

“Mirëmëngjes të gjithëve! Sot është data 14 dhe doja ta ndaja këtë moment me ju, sepse u bëra pak nostalgjike. Ka kaluar shumë kohë nga periudha kur në ditën e ditëlindjes do të nisja edhe shkollën. Ishte dita e parë e shkollës dhe kështu ndodhte. Sot është dita e parë e shkollës, 14 shtator, dhe të vegjlit kanë nisur vitin e ri shkollor”, tha ajo.

Mesazh për nxënësit: “Mos e matni vlerën tuaj me një notë”

Duke iu drejtuar fëmijëve që nisën vitin e ri shkollor, Egli u uroi suksese dhe u kujtoi se rezultatet në mësime nuk duhet të përcaktojnë vlerën e tyre si individë.

“Ju uroj shumë suksese dhe ju them të mos e matni vlerën tuaj me notën që do të merrni. Patjetër që duhet të bëni maksimumin dhe të jepni më të mirën tuaj, por mbi të gjitha duhet të jeni individë të mirë. Një notë e keqe nuk do të thotë që ju dështuat”, u shpreh ajo.

Egli foli gjithashtu për rëndësinë e shmangies së krahasimeve me të tjerët, diçka që, sipas saj, e kishte shqetësuar edhe gjatë fëmijërisë.

“Mos e krahasoni veten me të tjerët. Jini versioni më i mirë i vetes dhe mos mendoni se çfarë note mori tjetri, çfarë rrobash ka veshur apo sa mirë duket”, tha ajo.

Kujtimi nga fëmijëria: “Dhuratat e ditëlindjes i kisha edhe për shkollë”

29-vjetori e riktheu Eglin edhe te një kujtim që sot e rrëfen me humor.

Meqenëse ditëlindjen e kishte pikërisht më 14 shtator, dhuratat që merrte nga prindërit shpesh shërbenin njëkohësisht edhe për nisjen e shkollës.

“Unë e kam vuajtur pak këtë gjë kur isha e vogël. Meqenëse e kisha ditëlindjen në ditën e parë të shkollës, më 14 shtator, dhuratat që më bënin prindërit për ditëlindje i kisha edhe për ditën e parë të shkollës”, rrëfeu ajo.

“Për shembull, rrobat që më blinin për shkollë i kisha edhe për ditëlindje, ndërsa motra ime merrte dhurata dy herë në vit, edhe për ditëlindje, edhe për ditën e parë të shkollës.”

Megjithatë, ajo e shoqëroi kujtimin me një mesazh plot dashuri për prindërit.

“Gjithsesi, mami dhe babi, ju dua shumë. Nuk mërzitem fare, kështu më qëlloi”, tha Egli.

Në fund, ajo u drejtua sërish fëmijëve me një urim të ngrohtë:

“Kalamaja, jepini forca, studioni, bëhuni të mirë, shembullorë. Egli ju do shumë. Puthje!”

Dedikim për veten e saj të vogël

Krahas kujtimeve nga shkolla, Egli zgjodhi që ditëlindjen ta niste edhe me një dedikim emocional për versionin e saj të fëmijërisë.

Ajo publikoi një fotografi të realizuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqet pranë vetes së saj si fëmijë, duke e shoqëruar me një mesazh personal.

“Hey, vajza e vogël! Të kujtohet sa shumë ke ëndërruar? Sot janë të 20-at e tua të fundit dhe unë dua të të falënderoj si rrallëherë që s’u dorëzove kurrë, që të shkruanim së bashku kapitullin më të bukur të të gjithë jetës! Ty të detyrohem shumë! Gëzuar ditëlindjen! Shumë dashuri, from me, to you!”, shkroi ajo.

Kështu, në 29-vjetorin e saj, Egli Tako zgjodhi ta kthejë vëmendjen jo vetëm te festa, por edhe te rruga që ka bërë deri sot, kujtimet e fëmijërisë dhe mesazhi se suksesi nuk matet vetëm me nota apo krahasime me të tjerët.