**Natasha Kandiq i kujton Serbisë krimet në Kosovë: 7 mijë civilë të vrarë në 78 ditë**

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve për rolin e Kosovës në luftën e fundit, duke theksuar se Serbia është përgjegjëse për vrasjen e rreth 7 mijë civilëve shqiptarë në vetëm 78 ditë të vitit 1999.

Pas një reagimi të mëparshëm ndaj Ivica Daçiqit, Kandiq iu përgjigj edhe një qytetareje serbe e cila fajësonte shqiptarët e Kosovës për fillimin e luftës. Ajo kundërshtoi këtë pretendim, duke theksuar rolin e Serbisë në konflikt dhe krimet e kryera.

Përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) shkroi se “nuk ka luftë pa Serbinë” dhe se “plani serb për Kosovën ishte zvogëlimi i popullsisë shqiptare në 5% – 800,000 të dëbuar”. Ajo theksoi se vetëm në 78 ditë, nga 24 marsi deri më 12 qershor 1999, policia dhe ushtria serbe vranë rreth 7,000 civilë shqiptarë, të cilët nuk morën pjesë në konfliktin e armatosur.

Kandiq gjithashtu vuri theksin te mungesa e ndjekjes penale në Serbi ndaj komandantëve të lartë të Ushtrisë Jugosllave dhe MUP-it (Ministria e Punëve të Brendshme) për operacionet në Kosovë. Sipas saj, pakënaqësia e shqiptarëve ndaj vendimeve në Hagë është e justifikueshme, duke argumentuar se 27 vjet pas luftës, asnjë komandant i lartë nuk është ndjekur penalisht në Serbi. Kjo vlen pavarësisht mijëra fakteve të përcaktuara nga aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, të cilat lidhen me veprimet e njësive të UJ-së dhe MUP-it dhe lidhjet e tyre me strukturat komanduese të drejtuara nga gjeneralë të cilët përfundimisht u dënuan.