Joan García ka kryer këtë të enjte kontrollet mjekësore, të cilat kanë zbuluar shqetësime të lehta në gjurin e djathtë.
Barcelona ka bërë të ditur se gjendja e portierit do të monitorohet dhe se evoluimi i shqetësimit do të përcaktojë nëse ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Sevillës në Sánchez Pizjuán.
Portieri katalanas u dëmtua gjatë fitores së thellë 7-2 ndaj Racing Santanderit. Joan García doli nga zona e fushës për të marrë një top, por rrëshqiti për shkak të reshjeve të shiut në Katalonjë dhe bëri një lëvizje të pafavorshme me gjurin.
Edhe pse nuk u rrëzua në tokë, portieri nuk mundi ta vazhdonte ndeshjen pas pjesës së parë. Në vend të tij u aktivizua Wojciech Szczęsny.
Kontrollet e para kishin përjashtuar një dëmtim serioz, ndërsa ekzaminimet e kryera të enjten në qendrën stërvitore të Barcelonës konfirmuan se bëhet fjalë për shqetësime të lehta.
“Lojtari i ekipit të parë, Joan García, paraqet shqetësime të lehta në gjurin e djathtë. Evoluimi i dëmtimit do të përcaktojë gatishmërinë e tij”, thuhet në komunikatën e klubit.
Një detaj pozitiv është se gjuri i dëmtuar nuk është i njëjti me atë që Joan García e kishte operuar sezonin e kaluar.
Në rast se ai nuk është i gatshëm për duelin ndaj Sevillës, trajneri Hansi Flick do të duhet të zgjedhë mes Szczęsnyt dhe portierit të ri të Barcelonës, Dominik Livaković.
Për momentin, Szczęsny shihet si opsioni më i mundshëm, pasi ishte ai që zëvendësoi Joan Garcían pas dëmtimit ndaj Racingut.
