Policia e Kosovës ka sekuestruar disa armë dhe municion gjatë një kontrolli të kryer në një banesë në fshatin Senik të Malishevës.
Stacioni Policor në Malishevë kishte pranuar informacione për posedim të paautorizuar të armëve nga një person i dyshuar.
Në bashkëpunim dhe konsultim me Prokurorin e Shtetit, sot rreth orës 09:10 është kryer kontrolli në vendbanimin e të dyshuarit.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar: Dy armë gjahu; Një armë pneumatike (pushkë ajrore); Një pistoletë; Një pjesë të armës së zjarrit; Një thikë; Tetë fishekë.
Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa, në konsultim me të, është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar nga njësitë përkatëse, në procedurë të rregullt.
