Aktakuzë për falsifikim rezultatesh votimi në Shtime, pas zgjedhjeve të dhjetorit

Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër katër personave me inicialet Y.S., B.V., Sh.B. dhe R.R. Ata akuzohen për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 30 dhjetor 2025, në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, të pandehurit Y.S., B.V., Sh.B. dhe R.R., në cilësinë e anëtarëve të ekipit të numërimit, dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje dhe me dashje direkte. Gjatë procesit të numërimit të votave, ata thuhet se kanë ndërmarrë veprime të koordinuara, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat zgjedhore të përcaktuara nga legjislacioni dhe aktet nënligjore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Qëllimi ishte shtrembërimi i rezultateve të votimit.

Në aktakuzë theksohet se “i pandehuri Y.S., në cilësinë e lexuesit të votave, ka lexuar dhe komunikuar në mënyrë të pasaktë dhe të pakontrolluar votat nga fletëvotimet. Ndërkohë, i pandehuri B.V., duke përdorur qasje ekskluzive në sistemin elektronik të KQZ-së, ka regjistruar të dhëna të pasakta në sistem, pa lejuar mekanizma verifikimi dhe kontrolli nga anëtarët e tjerë.”