Tre shtetas kosovarë, Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, kanë humbur jetën dje në një aksident tragjik në një shesh ndërtimi në Vjenë të Austrisë. Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime të ashpra në vend, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me sigurinë në punë.
Autoritetet policore njoftuan përmes një konference për shtyp se është urdhëruar kryerja e autopsisë për viktimat, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar.
Ndërkohë, një reagim të ashpër e ka dhënë edhe kryetari i Sindikatës së Ndërtimit, Josef Muchitsch. Ai ka kërkuar sqarim të plotë të shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë, duke theksuar se përgjegjësia për tragjedinë u takon të gjithëve.
“Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe kolegët në vendpunisht. Nga porositësi te kontraktorët e deri te personat që punojnë në kantier, të gjithë mbajnë përgjegjësi. Bëhet fjalë për jetë njerëzish. Duhet bërë gjithçka që çdo punëtor ndërtimi të kthehet në shtëpi shëndoshë e mirë në mbrëmje”, deklaroi Muchitsch, siç citohet nga mediat austriake.
