Pakistani forcon imazhin diplomatik duke ndërmjetësuar armëpushimin mes SHBA-së dhe Iranit
Pakistani ka shënuar një arritje të rëndësishme diplomatike duke ndërmjetësuar aktivisht një armëpushim 14-ditor dhe duke krijuar bazën për bisedime mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Këto bisedime pritet të mbahen në Islamabad më 10 prill.
Armëpushimi, i njoftuar në minutat e fundit nga kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif më 8 prill në platformën X, erdhi vetëm pak orë para afatit të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump. Trump kishte paralajmëruar Iranin për pasoja që mund të çonin në “shkatërrimin e një civilizimi që nuk do të ringjallej kurrë më”.
“Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e tyre, janë pajtuar për një armëpushim të menjëhershëm kudo, përfshirë në Liban dhe gjetkë”, shkroi Sharif në X.
Duke iu referuar bisedave të tij me Sharifin dhe shefin e ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, të cilin më parë e kishte cilësuar si “marshallin e tij të preferuar”, Trump shkroi në Truth Social: “Jam pajtuar të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dyjavore”. Edhe Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, vlerësoi përpjekjet e tyre.
Analistët e kanë përshkruar këtë zhvillim si një “mundësi të papritur” për Pakistanin e armatosur bërthamor, i cili shpesh është akuzuar nga administrata të ndryshme amerikane, përfshirë atë të Trumpit, për “lojë të dyfishtë” gjatë luftës së NATO-s dhe SHBA-së kundër talibanëve në Afganistan.
Pakistani ka forcuar gjithashtu lidhjet me shtetet e pasura me naftë të Gjirit, duke shmangur me sukses rrezikun e një konflikti të padëshiruar me Iranin. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, duke pasur parasysh se Arabia Saudite, e cila vitin e kaluar nënshkroi me Islamabadin Marrëveshjen për Mbrojtjen e Përbashkët Strategjike, mund të përfshihej në luftë.
“Pakistani veproi me mençuri duke forcuar imazhin e tij diplomatik, teksa shmangu edhe një luftë me fqinjin e tij më të afërt, Iranin”, tha Ayesha Siddiqa, hulumtuese e Departamentit të Studimeve të Luftës në King’s College London dhe autore e librit “Ushtria: Brenda ekonomisë ushtarake të Pakistanit”.
“Është e lehtë të përfshihesh në luftë, por është shumë e vështirë të dalësh prej saj”, theksoi Siddiqa, duke shtuar se Pakistani ishte i vetmi shtet në rajon që mund të fliste si me Iranin, ashtu edhe me SHBA-në, dhe e shfrytëzoi këtë mundësi me mençuri.
Pakistani ndan një kufi gati 900 kilometra të gjatë me Iranin, i cili ndan provincën Sistan dhe Baluçistan të Iranit me Baluçistanin në Pakistan. Rajoni, me terren të vështirë dhe kontroll të kufizuar shtetëror, është strehë për një sërë grupesh militante, përfshirë grupin anti-iranian Jaysh al-Adl (i njohur më parë si Jundallah), si dhe grupet separatiste baluçe që operojnë në anën pakistaneze të kufirit.
Siddiqa argumentoi gjithashtu se Pakistani kishte pak zgjedhje veçse të ndërhynte dhe të ndërmjetësonte një marrëveshje. Sipas saj, duke pasur parasysh situatën e përshkallëzuar, Arabia Saudite mund të ishte përfshirë në konflikt nëse Irani do të vazhdonte të sulmonte objektet brenda mbretërisë. Sipas Marrëveshjes për Mbrojtje të Përbashkët – e cila thekson se një sulm ndaj njërës palë konsiderohet sulm ndaj të dy shteteve – Pakistani do të përballej me presion të madh për të mbështetur Arabinë Saudite dhe potencialisht do t’i bashkohej luftës së udhëhequr nga sauditët kundër Iranit.
Sipas armëpushimit të përkohshëm, Irani do të rihapë Ngushticën e Hormuzit, duke lejuar trafikun përmes kësaj rruge detare. Mbyllja e ngushticës ka shkaktuar mungesë globale të naftës, duke prekur konsumatorët anembanë botës. Rreth një e pesta e naftës globale kalon përmes kësaj ngushtice.
Duke cituar mediat iraniane, Reuters raportoi se propozimi i Iranit për negociata paqeje përfshin heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, lirimin e aseteve të ngrira të shtetit dhe tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni. Presidenti Trump e ka përshkruar propozimin si një “bazë të mirë” për negociata.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve në Iran, ISNA, raportoi më 8 prill se kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, do të udhëheqë ekipin negociator iranian gjatë bisedimeve të parashikuara për 10 prill në Pakistan. Megjithatë, agjencia e lajmeve Tasnim, duke cituar një burim të paidentifikuar, raportoi se nuk është marrë ende asnjë vendim lidhur me përbërjen e delegacionit iranian. Kjo agjenci raportoi se Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare, së bashku me tri degë të Qeverisë dhe zyrtarë të tjerë relevantë, po shqyrtojnë të gjitha aspektet e negociatave dhe së shpejti do të ketë njoftime zyrtare.
SHBA-ja gjithashtu nuk ka konfirmuar bisedimet e drejtpërdrejta. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u citua të ketë thënë se “ka diskutime për bisedime të drejtpërdrejta, por asgjë nuk është përfundimtare derisa të bëhet publike nga presidenti ose nga Shtëpia e Bardhë”.
Izraeli gjithashtu mbështeti pezullimin e sulmeve ndaj Iranit. Në një postim në X, zyra e kryeministrit izraelit deklaroi se “Izraeli mbështet vendimin e presidentit Trump për të pezulluar sulmet ndaj Iranit për dy javë dhe që Irani të hapë menjëherë ngushticën dhe të ndalojë të gjitha sulmet ndaj SHBA-së, Izraelit dhe shteteve të rajonit”.
“Pakistani dhe Irani kurrë nuk kanë pasur marrëdhënie veçanërisht të ngrohta. Por, duke qenë fqinjët më të afërt dhe vende me shumicë myslimane, Irani i beson Pakistanit më shumë se çdo vendi tjetër në rajon”, tha Khalid Sultan, analist me bazë në Islamabad.
Sultan argumentoi se “fitorja e papritur” e Pakistanit gjatë një konflikti të fundit ka shtuar rëndësinë e Pakistanit për vendet e Gjirit. Pavarësisht situatës së brishtë ekonomike në Pakistan, shumë shtete të Gjirit tani po tentojnë ta mbajnë në anën e tyre Islamabadin.
“Kjo i dha Pakistanit peshë të madhe diplomatike për të luajtur një rol kyç në uljen e tensioneve në konfliktin SHBA-Iran”, shtoi ai. Zhvillimet e fundit, sipas Sultanit, kanë përmirësuar imazhin e Pakistanit dhe kanë përforcuar rolin e tij diplomatik.
