Sigurohet Financimi për Segmentin Përfundimtar të Lidhjes Rrugore Prishtinë-Mitrovicë; Vlera e Investimit Mbi 16 Milionë Euro
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, së bashku me ministrat Hekuran Murati dhe Arben Vitia, pritën udhëheqësin e Fondit Saudit për Zhvillim, z. Al-Marshad. Gjatë këtij takimi, u diskutuan projektet infrastrukturore dhe bashkëpunimi i mëtejmë, me fokus të veçantë në segmentin e fundit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Segmenti Smrekonicë–Mitrovicë, me një gjatësi prej rreth 5 kilometrash, përbën pjesën përfundimtare të lidhjes rrugore Prishtinë–Vushtrri–Mitrovicë.
Investimi total për këtë segment arrin shifrën prej mbi 16 milionë eurosh. Nga kjo shumë, 12.3 milionë euro do të mbulohen nga Fondi Saudit për Zhvillim, ndërsa 3.7 milionë euro nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
Projekti parashikon ndërtimin e rrugës me dy korsi në secilin drejtim, korsi emergjente, katër kryqëzime kryesore dhe një infrastrukturë moderne të sigurisë rrugore.
Procedurat e tenderimit pritet të nisin pas përfundimit të procesit të shpronësimit dhe rishikimit të detajuar të projektit.
