Ngrihet aktakuzë për krime lufte në Kaçanik: Ish-polici serb dyshohet për torturë ndaj 13 civilëve
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet A.D., i cili dyshohet për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, veprat e dyshuara janë kryer më 9 mars 1999, në fshatin Ivajë dhe në fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut.
Në atë kohë, A.D. ishte zyrtar policor në Stacionin Policor në Kaçanik. Ai, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, dyshohet se ka kryer veprime kundër popullsisë civile shqiptare. Këto veprime përfshijnë torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë dhe dëbim të civilëve.
Aktakuza thekson se forcat serbe fillimisht kishin rrethuar fshatin Ivajë, duke detyruar banorët të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Shtëpitë e tyre, sipas Prokurorisë, më pas dyshohet se janë djegur dhe shkatërruar.
Gjatë këtij procesi, burrat ishin ndarë nga gratë dhe ishin dërguar në Stacionin Policor në Kaçanik. Aty, 78 prej tyre ishin liruar, ndërsa 13 të tjerë ishin ndaluar për t’u marrë në pyetje.
Prokuroria bën të ditur se “13 të ndaluarit ishin rrahur dhe torturuar nga A.D. dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar”.
Lënda është dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, konkretisht në Departamentin Special. I pandehuri ndodhet aktualisht në paraburgim.
