Von der Leyen nis vizitën në Tiranë me lëvdata: Shqipëria po punon fort për realizimin e ëndrrës evropiane

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nisur sot vizitën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke zgjedhur Shqipërinë si pikënisje të turit.

Gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Von der Leyen vlerësoi përkushtimin e vendit për integrimin evropian. Ajo theksoi se Shqipëria po punon fort për ta shndërruar ëndrrën evropiane në realitet.

Në një postim në platformën X (ish-Twitter), presidentja e KE-së shprehu kënaqësinë e saj për fillimin e turneut në Ballkanin Perëndimor nga Shqipëria. Ajo i drejtoi fjalë inkurajuese kryeministrit Rama, duke shkruar:

“Jam e lumtur ta nis turneun tim në Ballkanin Perëndimor nga Shqipëria. I dashur Edi Rama, po punoni fort për ta shndërruar ëndrrën evropiane të Shqipërisë në realitet.”

Von der Leyen theksoi rëndësinë e reformave, duke përmendur ato në drejtësi dhe mjedis, si dhe nevojën për një dialog të fortë me shoqërinë. Ajo e përmbylli mesazhin me fjalë optimiste: “Qëllimi është në horizont. Kështu do ta arrijmë.”