Nico Williams e ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për Lamine Yamalin në garën për Topin e Artë.
Pas paraqitjes së shkëlqyer të yllit të Barcelonës në fitoren 4-1 të Spanjës ndaj Kroacisë, ku Yamal i shënoi dy gola dhe e dha një asistim, Williams nuk i ka kursyer elozhet për shokun e tij të skuadrës.
“Kushdo që kupton nga futbolli e di se Lamine Yamal duhet ta fitojë Topin e Artë. Shpresoj që Lamine ta fitojë. Nëse e njeh vërtet futbollin dhe të pëlqen futbolli, atëherë e di se Lamine është më i miri”, deklaroi Nico Williams pas lojës, përcjell ‘Gazeta Express”.
Sulmuesi i Athletic Bilbaos foli me entuziazëm edhe për paraqitjen e Yamalit ndaj Kroacisë.
“Lamine Yamal është i tillë, është një lojtar special. Prekja e tij e parë shkon në rrjetë, njësoj si ditën tjetër. Kemi të bëjmë me një futbollist të jashtëzakonshëm dhe shpresoj që të vazhdojë kështu, duke punuar me përulësinë që e karakterizon. Jam i sigurt se do të fitojë shumë trofe dhe shumë ndeshje”, shtoi Williams.
Williams ishte gjithashtu protagonist ndaj Kroacisë, duke e shënuar golin e katërt të Spanjës.
“Jam shumë i lumtur që e shënova njërin nga golat. Duhet të vazhdoj të punoj kështu dhe të fitoj besim. Çdo futbollisti i pëlqen të shënojë gola, sepse na japin besim për të ardhmen”, tha ai.
“Duhet të punosh dhe kur punon, gjithçka bëhet më e lehtë. Shpresoj që me punë dhe sakrificë të vazhdoj të shënoj gola. Dua të jem i lumtur dhe të vazhdoj të buzëqesh, sepse kjo është ajo që më pëlqen”, përfundoi Nico Williams. /Gazeta Express
