Rui Pinto, personi kyç pas Football Leaks, nuk konsiderohet më dëshmitar i mbrojtur nga autoritetet portugeze, vetëm pak ditë pas vendimit që e shpalli Manchester Cityn fajtor për shkelje të rregullave financiare.
Pinto, 37-vjeçar, kishte qenë nën mbrojtje që prej vitit 2020, pasi bashkëpunoi me autoritetet portugeze dhe dorëzoi miliona dokumente të mbledhura përmes Football Leaks. Dokumentet e tij luajtën rol të rëndësishëm në nisjen e hetimeve ndaj Manchester Cityt për çështjet financiare, shkruan Indeksonline

Por kush është Rui Pinto?
Rui Pinto është një informator portugez dhe figura kryesore pas platformës Football Leaks, e cila që nga viti 2015 publikoi miliona dokumente konfidenciale që zbuluan të dhëna mbi financat, kontratat dhe marrëdhëniet e disa prej emrave dhe klubeve më të mëdha të futbollit.
Përmes dokumenteve të siguruara nga Pinto dhe të publikuara në bashkëpunim me gazetarë ndërkombëtarë, u zbuluan materiale që prekën klube si Manchester City, si dhe futbollistë dhe drejtues të njohur. Në periudhën 2015–2018, Football Leaks shpërndau rreth 18.6 milionë dokumente.
Pinto u arrestua në Hungari në vitin 2019 dhe më pas u ekstradua në Portugali. Në vitin 2020, ai u bë dëshmitar i mbrojtur pasi pranoi të bashkëpunonte me autoritetet dhe t’u jepte qasje në të dhënat e koduara.
Në vitin 2023, ai u dënua me katër vite burgim me kusht për disa vepra kibernetike dhe tentativë zhvatjeje. Ndërkohë, në prill të vitit 2026, një gjykatë portugeze e shpalli të pafajshëm në një proces të dytë me 241 akuza, pasi vendosi se akuzat ishin të pavlefshme për arsye procedurale.
Tani, pas vendimit ndaj Manchester Cityt, autoritetet portugeze kanë vlerësuar se rreziku aktual për sigurinë e tij është i ulët dhe i kanë hequr statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Megjithatë, pas një sulmi fizik në Lisbonë në prill, Pinto është këshilluar të kufizojë aktivitetin në rrjetet sociale dhe të tregojë kujdes në kontaktet me familjarët.
/Indeksonline/
