Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar sot për zhvillimin e një aksioni në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK). Aksioni, i cili filloi në orët e para të mëngjesit, u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe njësitë përkatëse, bazuar në një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. ARBK funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në Prishtinë.
Lidhur me këtë aksion, Prokuroria ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i arsyeshëm që tri zyrtare të ARBK-së, me inicialet I.R.J., F.L. dhe A.I.K., dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas Prokurorisë, ato, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin, me dashje kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme me qëllim që personi me inicialet I.B. të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të paligjshme.
Dyshimet theksojnë se zyrtaret kanë bërë ndryshimin e pronësisë së aksioneve të kompanisë “N.K.W.P” Sh.P.K., vlera e të cilave tejkalon 50.000 (pesëdhjetë mijë) euro.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
