Eksperti i “Sky Austria”, Marko Stankovic ka folur për ndeshjen Kosovë – Austri, me fokusin kryesor te gjendja e fushës.
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova dhe Austria u ndanë baras, me shifrat prej 1-1.
Fisnik Asllani shënoi golin e parë në ndeshje, teksa për barazimin e rezultatit u përkujdes Christoph Lang.
Gjatë ditës së sotme, kritikave për fushën e stadiumit në Prishtinë i është shtuar edhe eksperti i “Sky Austria”, Marko Stankovic.
Madje, ai ka shkuar aq larg, sa që e quajti fushën e “Fadil Vokrrit” si “livadh lopësh”.
Megjithatë, Stankovic nuk dëshiron që kushtet katastrofale të fushës të shërbejnë si justifikim për ekipin e Rangnickut.
“Fusha ishte e mjerueshme, ishte një livadh me lopë siç nuk e kam parë. Por, nga këndvështrimi im, kjo është ekzagjeruar shumë. Dje në Kosovë, ata nuk arritën të bënin as dy pasime radhazi. Por pse ia doli Zhegrova – numri dhjetë i Kosovës, që është te Juventusi –? Pse ai, në disa raste, luajti me ne ‘Such’s Balli’ [lojë ku topi mbahet larg kundërshtarit]? Pra, disi është e mundur. Duhet t’i besosh vetes, por këtë duhet edhe t’ua kërkosh djemve. Dhe duhet ta duash këtë”, tha Stankovic.
Si shembull të fokusit të tepruar të lojtarëve të kombëtares së Austrisë te gjendja e keqe e fushës, Stankovic përmendi mesfushorin Xaver Schlager.
“E dëgjova Xaver Schlager pas ndeshjes, i cili për dy minuta vetëm u ankua për fushën. Por pikërisht Xaver Schlager është një lojtar që lufton, që është shumë i fortë pa top dhe luan në mënyrë të jashtëzakonshme fizikisht në Premier League. Unë dëgjoj gjatë gjithë kohës vetëm: ‘Fusha ishte e keqe, fusha ishte e keqe, fusha ishte e keqe.’ Por si ia bëri Kosova? Një kombinim, një pasim prapa dhe topi përfundoi në rrjetë”, shtoi ai.
Me barazimin e mbrëmshëm, Austria forcoi pozitën e saj në krye të grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Ajo ka tetë pikë, derisa Kosova e Irlanda kanë nga pesë sosh. Izraeli është i fundit me dy pikë./GazetaExpress/
