Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku tha se si parti do të qëndrojnë në sallën plenare derisa të miratohet në lexim të dytë projektligji që parasheh ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“PDK-ja nuk largohet nga salla, nuk largohet nga Kuvendi”, tha ajo.
Çitaku u ka bërë thirrje partive të tjera politike që të marrin pjesë në seancë, në mënyrë që ligji të votohet në lexim të dytë.
“I ftojmë të gjithë deputetët të kthehen në sallë dhe të votojnë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara. Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë të ndara. Votimi i ligjit është detyrim jo vetëm politik, por edhe kombëtar. Çështja e presidentit është çështje e marrëveshjes, janë totalisht të ndara”, tha ajo.
