Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të veçanta vdekjesh në Podujevë dhe Gjakovë, ku janë gjetur pa shenja jete një grua dhe një burrë. Të dyja rastet po hetohen si “Hetim mbi vdekjen”.
Rasti i parë u raportua më 4 tetor, rreth orës 18:30, në Podujevë, ku një grua u gjet e pajetë. Njësitë policore përkatëse dolën menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas ekzaminimeve paraprake dhe me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim zbardhjen e plotë të shkaqeve të vdekjes.
Një ditë më pas, më 5 tetor, rreth orës 12:15, në Gjakovë, u regjistrua një tjetër rast i ngjashëm. Aty u gjet i vdekur një burrë. Në vendngjarje shkuan menjëherë njësitë policore, ndërsa ekipi mjekësor konstatoi zyrtarisht vdekjen e tij. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.
Policia e Kosovës ka theksuar se po vazhdojnë hetimet për të dyja ngjarjet, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në vdekjen e këtyre dy personave.
