Zjarri në trafo të Trepçës lokalizohet: 63 minatorë të bllokuar, fillojnë të dalin pas defektit elektrik

63 minatorë të Trepçës kanë mbetur të bllokuar brenda minierës gjatë mbrëmjes së sotme, pas një defekti në pajisjet e furnizimit me energji elektrike. Zjarri që shpërtheu në një trafo është lokalizuar dhe minatorët kanë nisur të dalin, ka konfirmuar Burim Ibishi, komandant i zjarrfikësve në Mitrovicë.

Ibishi bëri të ditur se njoftimi për zjarrin, që kishte përfshirë një trafo në lagjen Tuneli, u mor rreth orës 19:45. Menjëherë ekipet e zjarrfikësve shkuan në vendngjarje, ku ndërhynë për të vënë nën kontroll situatën. “Zjarri është lokalizuar,” deklaroi ai për Indeksonline.

Gjendja shëndetësore e të 63 minatorëve është e mirë. Ibishi theksoi se ata kanë filluar procesin e daljes nga miniera. “Tre minatorë kanë dalë deri tani, ndërsa të tjerët janë duke dalë gradualisht. Ata kishin me vete ushqim dhe pije,” sqaroi Ibishi.