Komisioneri Evropian Michael McGrath pas takimit me Ramën: Shqipëria e ka vendin në BE

Komisioneri Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Konsumatorët, Michael McGrath, deklaroi se Shqipëria renditet ndër vendet kryesore në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo deklaratë erdhi pas takimit të tij me Kryeministrin Edi Rama, ku McGrath theksoi se Shqipëria “e ka vendin në BE”, ndonëse ende ka punë të rëndësishme për t’u bërë në këtë rrugë.

Në një postim në rrjetet sociale, Komisioneri përsëriti mbështetjen e tij, duke cituar: “Shqipëria e ka vendin në BE dhe është një nga vendet pararendëse në procesin e anëtarësimit.” Ai shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në çdo hap të këtij procesi.

Sipas McGrath, takimi me Kryeministrin Rama u përqendrua në progresin e vendit në zbatimin e reformave në drejtësi dhe sundimin e ligjit, të cilat ai i cilësoi si “spirancën politike” të anëtarësimit.

Komisioneri evropian vlerësoi qeverinë shqiptare për përparimin e arritur deri më tani, duke theksuar: “Ka një historik të fortë progresi dhe një ambicie të qartë. Tani, ky ritëm duhet të ruhet për të dhënë rezultate të qëndrueshme dhe të pakthyeshme.”