**Tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.6 godet Panamanë, lëshohen paralajmërime për cunami**

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.6 ballësh ka goditur Panamanë, duke nxitur lëshimin e paralajmërimeve për cunami përgjatë bregdetit perëndimor të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Kështu bëri të ditur Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS).

Tërmeti goditi zonën bregdetare jugore të vendit, njoftoi USGS. Epiqendra e tij u lokalizua pranë skajit jugor të Panamasë, rreth 14 kilometra në jugperëndim të komunitetit të largët Pitaloza Arriba, raporton The Guardian.

Instituti i Gjeoshkencave i Universitetit të Panamasë njoftoi se tërmeti ndodhi pak para orës 13:00, sipas kohës lokale, pranë qytetit jugor Tonosí. Sipas të njëjtit institut panamez, pak më vonë, në orën 13:22, u regjistrua edhe një tërmet i dytë me magnitudë 6.0.

Gazeta lokale “La Prensa” raportoi se, në mbarë Panamanë, ndërtesat, shkollat dhe shtëpitë u evakuuan si pasojë e “lëkundjes së fuqishme të tokës”.