Aksidenti tragjik në Greqi: Ndërron jetë edhe punëtori i dytë shqiptar

Një zhvillim tragjik ka shënuar aksidenti në punë që ndodhi në kompleksin industrial “Motor Oil” në Agioi Theodoroi, Greqi. Ditën e diel, pak pas mesdite, Dorian Hysa, 50 vjeç, punëtori i dytë i plagosur rëndë, ndërroi jetë, sipas informacioneve nga burime të thriassio.gr.

Punëtori 50-vjeçar ishte shtruar i intubuar në Spitalin e Përgjithshëm “Thriasio” të Elefsinës, pasi kishte pësuar lëndime të rënda në kokë, në një gjendje jashtëzakonisht kritike. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra, duke rritur numrin e viktimave të aksidentit në dy.

Më herët, më 9 tetor, kishte ndërruar jetë në spital edhe Robert Cakaj, 43 vjeç, po ashtu me origjinë shqiptare, i cili ishte transferuar në Njësinë e Djegieve në të njëjtin spital. Edhe në rastin e tij, mjekët nuk kishin arritur ta shpëtonin.

Lidhur me rastin, Policia greke po heton masat e sigurisë, të cilat dyshohet se kanë qenë të pamjaftueshme gjatë punimeve të mirëmbajtjes. Autoritetet kanë kryer tre arrestime të reja, duke vënë në pranga drejtues të “Motor Oil” të përfshirë drejtpërdrejt në mbikëqyrjen e projektit në fjalë.