Shqipëria shënon një përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, me mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, që trajton fushën e “Ndërmarrjeve dhe Politikave Industriale”.

Ky zhvillim pritet të formalizohet sot në Luksemburg, gjatë Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian.

Lidhur me këtë hap, ka reaguar edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e ka vlerësuar atë si një tjetër përparim në rrugën drejt integrimit evropian.

“Dhe me lajmin se sot në Luksemburg, Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur Kapitullin 20 në Konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.

Me këtë mbyllje, Shqipëria arrin në gjithsej katër kapituj të mbyllur përkohësisht në kuadër të negociatave të anëtarësimit.

Vendi synon të përmbyllë të gjitha negociatat me Bashkimin Evropian brenda vitit 2027, duke vazhduar punën për përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara nga procesi i integrimit.