Zyrtari i Komunës së Prishtinës arrestohet për ryshfet dhe keqpërdorim detyre

Nebi Alshiqi, zyrtar i Kadastrës në Komunën e Prishtinës, është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare. Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se arrestimi u realizua pas hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Operacioni u krye nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari, i identifikuar zyrtarisht me inicialet N.A., dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer tri vepra penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Hetimet fillestare kanë ngritur dyshime se informacione zyrtare lidhur me prona të caktuara u janë zbuluar personave të paautorizuar në këmbim të ryshfetit. Këto veprime, sipas organit të akuzës, dyshohet se janë kryer me qëllim të tjetërsimit të pronave, vlera e të cilave besohet të jetë shumë e madhe.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësive të mundshme penale.

Identiteti i të arrestuarit u raportua nga portali IndeksOnline, ndërsa Prokuroria në komunikatën zyrtare ka publikuar vetëm inicialet e tij.

I dyshuari konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.