Familjeve të dy punëtorëve kosovarë, viktimave të aksidentit në Itali, u jepet dëmshpërblim prej 2 milionë eurosh
Familjet e dy punëtorëve me origjinë nga Kosova, V.Xh. dhe D.S., të cilët humbën jetën në një aksident tragjik rrugor në Itali, do të dëmshpërblehen me një total prej 2 milionë eurosh.
Kjo shumë do të mbulohet nga kompania e sigurimit të furgonit, automjet ky në pronësi të kompanisë ku punonin dy viktimat.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e 30 majit 2023, rreth orës 06:30, në autostradën A22, në segmentin midis Bressanone-s dhe Chiusa-s. Katër punëtorë po udhëtonin me furgonin e kompanisë drejt një kantieri ndërtimi, kur automjeti u përplas me disa kamionë.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, drejtuesi i furgonit po parakalonte disa mjete të rënda. Gjatë kthimit në korsinë e tij, ai nuk arriti të vërente në kohë një kolonë kamionësh që po lëviznin ngadalë, duke shkaktuar përplasjen fatale.
Përplasja rezultoi fatale për dy punëtorët, të cilët ndodheshin në anën e djathtë të furgonit – njëri në sediljen e pasagjerit dhe tjetri në sediljen e pasme. Të dy mbetën të bllokuar në rrënojat e automjetit dhe humbën jetën në vendngjarje. Dy personat e tjerë, përfshirë drejtuesin e furgonit, pësuan plagë, por jo të rënda.
Viktimat, V.Xh. dhe D.S., jetonin prej vitesh në Itali dhe punonin në sektorin e ndërtimtarisë. Njëri ishte banor i Bronzolo-s, ndërsa tjetri jetonte në Bolzano.
Dëmshpërblimi prej 2 milionë eurosh synon të kompensojë familjet për humbjen tragjike të dy të afërmve të tyre.
