Ndeshja mes Egnatias dhe Midtjyllandit, e vlefshme për raundin e parë të Ligës së Konferencës, rrezikon të mos zhvillohet sipas programit, pas situatës së tensionuar në Tiranë.

Sipas raportimit të Panorama Sport, stërvitja e skuadrës daneze në stadiumin “Air Albania” është ndërprerë pas vetëm disa minutash, për shkak të gazit lotsjellës në zonën përreth stadiumit, shkruan Indeksonline

Situata e krijuar në kryeqytetin shqiptar, ku po zhvillohen protesta me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ka ndikuar edhe në përgatitjet e skuadrave për këtë përballje evropiane.

Probleme ka pasur edhe për Egnatian, së cilës i është anuluar stërvitja e planifikuar në stadiumin “Air Albania”, pasi kushtet nuk kanë lejuar zhvillimin normal të saj.

Takimi është paraparë të zhvillohet të enjten, më 15 tetor, në orën 18:45. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë vënë në pikëpyetje zhvillimin e ndeshjes sipas orarit të planifikuar.

Tashmë, vëmendja është përqendruar te vendimi që pritet të merret pas mbledhjes së jashtëzakonshme të sigurisë, ku do të shqyrtohet situata dhe mundësia e zhvillimit të takimit.

Për momentin, nuk ka një vendim përfundimtar të konfirmuar për shtyrjen e ndeshjes, ndaj mbetet të shihet se si do të veprojnë organet përgjegjëse dhe organizatorët e kompeticionit./Indeksonline/