Ora dimërore kthehet: Akrepat prapa me një orë, BE-ja drejt heqjes së ndryshimit sezonal

Së shpejti, akrepat e orës do të lëvizin prapa, duke na dhuruar një orë gjumë shtesë. Dy herë në vit, orët tona zhvendosen një orë përpara ose prapa, duke bërë që njerëzit të fitojnë ose humbasin një orë gjumë.

Këtë vit, më 25 mars, akrepat e orës u zhvendosën përpara me një orë. Si çdo vit, në fundjavën e fundit të tetorit do të përfundojë ora verore, dhe akrepat do të kthehen 60 minuta prapa. Ky ndryshim, i cili shënon fillimin e orës dimërore, do të zgjasë deri në fundjavën e fundit të marsit të ardhshëm.

Konkretisht, të dielën, më 30 tetor, në orën 03:00 të mëngjesit, akrepat do të kthehen një orë prapa. Kjo do t’u mundësojë njerëzve të flenë një orë më gjatë.

Ndryshimi i orës u vendos si ligj në nivel evropian në vitin 1981. Megjithatë, zhvendosja e akrepave në Evropën Perëndimore kishte nisur që në fillim të viteve ’70. Arsyeja kryesore ishte se ky ndryshim “zgjat” ditën, rrit produktivitetin, përmirëson mirëqenien e njerëzve dhe e bën ditën e punës më efikase.

Megjithatë, Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë dorë nga ndryshimi sezonal i orës. Për këtë, vendet anëtare kanë afat deri në prill të vitit të ardhshëm për të vendosur nëse do të mbajnë orën verore apo atë dimërore në mënyrë të përhershme.