**Diddy në Telashe të Reja: Përleshet me një Baron Droge në Burg**

Producenti i njohur amerikan, Diddy, duket se po përballet me sfida të reja gjatë qëndrimit të tij në burg. Ai dyshohet se është përfshirë në një përleshje me një të burgosur me origjinë xhamajkane, të cilin mediat e përshkruajnë si një baron droge të njohur me emrin ‘Dudus’.

Sipas burimeve të cituara nga TMZ, incidenti ka ndodhur të premten e kaluar brenda ambientëve të burgut federal Fort Dix. Përplasja dyshohet se ka përfunduar në favor të të burgosurit tjetër, ‘Dudusit’, ndërsa Diddy ka pësuar dëmtime në kokë. Për shkak të plagosjes, ai u transportua nga personeli i burgut në një qendër mjekësore jashtë institucionit penitenciar.

Sipas TMZ, shkak i mundshëm i konfliktit është zemërimi i disa të burgosurve ndaj Diddy-t, pas një raportimi të NBC News rreth kushteve dhe privilegjeve që ai pretendohet se gëzon në burg. Pas këtij publikimi, autoritetet e burgut thuhet se kanë kryer të paktën dy kontrolle të papritura, gjatë të cilave u sekuestruan telefona celularë nga disa të burgosur, mes tyre edhe ‘Dudus’.

Këto kontrolle dyshohet se kanë shkaktuar pakënaqësi të thellë mes të burgosurve, të cilët, sipas burimeve mediatike, e konsideruan Diddy-n përgjegjës për vëmendjen e shtuar të autoriteteve ndaj tyre.

Ndërkohë, edhe pse Diddy është një nga emrat më të njohur që ndodhen në burgun Fort Dix, burimet e TMZ pohojnë se ‘Dudus’ gëzon ndikim të konsiderueshëm brenda institucionit. Ai po vuan një dënim prej 23 vitesh burg, i nisur në vitin 2012. I burgosuri thuhet se është irrituar veçanërisht nga kontrollet e fundit, pasi ka humbur disa nga privilegjet që kishte më parë.

Megjithatë, këto të dhëna dhe pretendimet rreth arsyeve të konfliktit nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet e burgut.

Pas incidentit të raportuar, Diddy dhe ‘Dudus’ dyshohet se janë transferuar në Njësinë e Strehimit të Posaçëm (SHU), ku të burgosurit mbahen të ndarë nga të tjerët. Sipas TMZ, ndaj të dyve është vendosur një masë disiplinore prej dy javësh në izolim. Vlen të theksohet se Diddy ndodhej në izolim edhe përpara vetë përleshjes, pas publikimit të lajmit nga NBC News. Konflikti thuhet se ka ndodhur në momentin kur ai ishte larguar përkohësisht nga qelia për pushimin e përditshëm.