Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka kërkuar mbështetje më aktive nga Komisioni Evropian për të avancuar procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE. Në fokus të kësaj kërkese ishin dorëzimi i pyetësorit, marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave.
Gjatë takimit të enjten në Bruksel me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, Zulfaj diskutoi reformat e ndërmarra në Kosovë, zbatimin e Planit të Rritjes dhe integrimin në skemat evropiane si SEPA dhe “Roam Like at Home”.
Ai paraqiti progresin e Kosovës në fusha kyçe, përfshirë sundimin e ligjit, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe harmonizimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Në takim u trajtua edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i dorëzuar më 15 dhjetor 2022. Zulfaj theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj reformave dhe vlerave evropiane, duke kërkuar që ky angazhim të vlerësohet nga institucionet e BE-së.
Gjithashtu, u diskutuan zhvillimet e fundit në Kosovë, mes të cilave edhe ligji i miratuar nga Kuvendi për Dhomat e Specializuara. Lidhur me këtë temë, Zulfaj vlerësoi se verdikti i 16 shtatorit ishte i padrejtë dhe shprehu pritjen që ai të korrigjohet në shkallën e apelit. Ai bëri të ditur se Qeveria ka formuar një grup punues për hartimin e strategjisë shtetërore për këtë çështje.
Në përfundim të takimit, Zulfaj riafirmoi përkushtimin e Kosovës për vazhdimin e reformave dhe bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian në rrugën drejt anëtarësimit të plotë.
