Kryeprokurori i Prizrenit sqaron rreth vdekjes: Viktima shihet duke rënë vetëm, hidhet poshtë therja

**Prizren, Kosovë** – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se Prokuroria ka siguruar prova materiale dhe video-incizime lidhur me rastin e vdekjes së një personi, i cili ishte raportuar nga mediat si i shkaktuar nga therja.

Kryeziu, në një deklaratë për Klankosova.tv, sqaroi se në pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes, viktima shihet duke rënë në tokë i vetëm. Ai theksoi se hetimet janë në vazhdim për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit.

“Lidhur me raportimet në media se rasti ka të bëjë me therje, sqarojmë se Prokuroria ka siguruar prova materiale nga vendi i ngjarjes, përfshirë edhe video-incizime, në të cilat viktima shihet duke rënë në tokë i vetëm”, deklaroi Kryeziu.

Ai shtoi se në vendin e ngjarjes ndodhen njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, ekipet e forenzikës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe prokurori kujdestar.

Sipas kryeprokurorit, institucionet kompetente po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore të nevojshme për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun përfundimtar të vdekjes.

“Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit dhe shkakun e vdekjes”, përfundoi Kryeziu.