Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, me rastin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956.

Në fjalën e saj, Shiroka Pula ka theksuar se populli i Kosovës e kupton mirë rëndësinë e lirisë, duke iu referuar historisë dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe pavarësi.

“Populli i Republikës së Kosovës e kupton mirë se çfarë rëndësie ka liria për një komb. Historia jonë, duke nisur që nga qëndresa e Gjergj Kastriotit Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpallja e pavarësisë, dëshmon për përpjekjen e vazhdueshme të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre”, ka deklaruar ajo.

Presidentja ka vlerësuar se aspiratat për liri që frymëzuan Revolucionin Hungarez të vitit 1956 mbeten pjesë e trashëgimisë evropiane dhe përbëjnë një kujtesë të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.

Ajo ka përmendur edhe lidhjet historike ndërmjet shqiptarëve dhe hungarezëve, duke veçuar marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit Skënderbeut me Janosh Huniadin dhe Matias Korvinin.

Sipas Shiroka Pulës, kjo trashëgimi historike përbën një pikë referimi edhe për marrëdhëniet e sotme ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, të cilat, siç tha ajo, janë zhvilluar përmes bashkëpunimit diplomatik, në fushën e sigurisë, arsimit dhe ekonomisë.

Presidentja ka rikujtuar se Hungaria e ka njohur pavarësinë e Kosovës në mars të vitit 2008 dhe se aktualisht kontribuon me mbi 400 trupa në misionin e KFOR-it.

Ajo ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në arsim, veçanërisht përmes programit të bursave Stipendium Hungaricum, i cili u ofron të rinjve kosovarë mundësi për studime dhe shkëmbim përvojash.

“Për Kosovën, miqësia me Hungarinë është pjesë e një marrëdhënieje që ndërthur historinë me bashkëpunimin e sotëm dhe synimet për të ardhmen”, ka thënë Shiroka Pula, duke shtuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mund të forcohen më tej përmes respektit të ndërsjellë, dialogut dhe bashkëpunimit konkret.

Në përfundim, ajo ka shprehur respektin për historinë dhe qëndresën e popullit hungarez, duke theksuar bindjen se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë do të vazhdojë të zhvillohet në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve dhe të një të ardhmeje evropiane të bazuar në paqe, liri dhe bashkëpunim. /IndeksOnline/