Real Madridi e siguroi pa shumë vështirësi fitoren e tetë radhazi në shtëpi në La Liga, pasi e mposhti Sevillën me rezultat 4-1 në “Santiago Bernabeu”, duke e ngushtuar sërish në gjashtë pikë diferencën me Barcelonën.

Vëmendja e “Los Blancos” u rikthye te garat vendore pas rikthimit të jashtëzakonshëm dhe fitores 4-3 ndaj Romës në Ligën e Kampionëve, ndërsa skuadra e Jose Mourinhos synonte të mbetej në garë me liderin e shkëputur, Barcelonën, e cila kishte regjistruar një tjetër fitore të shtunën.

Pas sfidës së vendosur nga rivalët e tyre të mëdhenj, një moment magjie nga Arda Guler e zhbllokoi rezultatin për vendasit në minutën e 30-të.

Jude Bellingham e dërgoi topin në krahun e djathtë te Yan Diomande, i cili më pas e gjeti talentin turk, që realizoi një gol të mrekullueshëm me një goditje të harkuar mbi Odysseas Vlachodimos.

Portieri i Sevillas e pengoi Kylian Mbappen ta shënonte golin e dytë pak çaste më vonë, duke e pritur goditjen e tij me këmbë të shtrirë, por golashënuesi më i mirë i Real Madridit nuk do të priste gjatë për ta gjetur rrugën drejt rrjetës.

Bellingham e pasoi në mënyrë të shkëlqyer topin me thembër drejt francezit, i cili e kontrolloi pa vështirësi me një teknikë të jashtëzakonshme, para se të shënonte nga afërsia, vetëm shtatë minuta pas golit të Gulerit.

Thibaut Courtois ishte pothuajse spektator në portën tjetër, derisa bëri një pritje të shkëlqyer me njërën dorë për ta ndalur goditjen e Lucien Agoumes në kohën shtesë të pjesës së parë.

Pas rifillimit të lojës, mysafirët patën një shenjë shprese kur goditja e Felix Correias u devijua dhe përfundoi mbi traversë, por ishte Reali ai që shënoi sërish, këtë herë nga pika e bardhë.

Diomande e dërgoi topin te Mbappe, të cilit Castrin ia preku thembrat brenda zonës. Arbitri Mateo Busquets tregoi në pikën e bardhë, ndërsa Mbappe e shndërroi penalltinë në gol me një goditje të stilit “Panenka”, duke e mposhtur Vlachodimosin.

Youssouf Fofana, i huazuar nga Milani, u përpoq ta ngushtonte epërsinë në dy gola, por Courtois u detyrua të ndërhynte sërish për ta pritur goditjen e tij nga jashtë zonës.

Mysafirët nuk kishin ndërmend të dorëzoheshin lehtë dhe Manuel Bueno i dha Sevillas shpresë për një rikthim të papritur, duke përfituar nga një mbrojtje e pakujdesshme e Realit dhe duke shënuar me një goditje të saktë me të majtën.

Megjithatë, ky gol rezultoi të ishte vetëm një ngushëllim, pasi Diomande e vulosi një tjetër paraqitje mbresëlënëse me një goditje të fuqishme vetëm dy minuta më vonë, duke ia rikthyer vendasve epërsinë prej tri golash.

Kjo ishte një mënyrë bindëse për skuadrën e Mourinhos për ta regjistruar fitoren e gjashtë në shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, me vetëm një humbje, si dhe për ta kaluar Real Betisin në vendin e tretë, përpara El Clasicos së javës së ardhshme kundër Barcelonës.

Ndërkohë, Sevilla tani ka 16 ndeshje radhazi pa fitore në përballjet direkte në LaLiga kundër Real Madridit, me dy barazime dhe 14 humbje, ndërsa mbetet në vendin e gjashtë pas humbjes së tretë në kampionat këtë sezon./GazetaExpress/