**Astronautët e “Artemis II” u kthyen në Tokë: Çfarë ndodh tani me ta?**

Ekuipazhi i misionit “Artemis II” është kthyer sigurt në Tokë, pasi moduli i tyre rihyri në atmosferë me një shpejtësi prej 40,000 km/h dhe u ul në oqean, pranë brigjeve të Kalifornisë. Ata kanë udhëtuar në thellësi më të mëdha hapësinore se çdo njeri tjetër më parë, rreth 4,000 milje përtej rekordit të vendosur nga misioni “Apollo 13” në vitin 1970, i cili ishte 248,655 milje.

Astronautët janë lartësisht të trajnuar për t’i bërë ballë sforcave fizike dhe mendore të qëndrimit në hapësirë. Megjithëse mund të duket si një përvojë sfiduese, astronautët e përshkruajnë qëndrimin në hapësirë si kulminacionin e jetës së tyre dhe shprehen se do të ktheheshin pa hezitim. Në një konferencë shtypi para uljes, astronautja Christina Koch deklaroi se vështirësitë, si ushqimi i dehidratuar dhe një tualet me pak privatësi, ia vlejnë plotësisht.

NASA nuk publikon detaje rreth shëndetit apo jetës private të anëtarëve të ekuipazhit. Megjithatë, ja se çfarë pritet të ndodhë me Reid Wiseman, Christina Koch, Victor Glover dhe Jeremy Hansen pas kthimit të tyre:

**Kontrolli i menjëhershëm mjekësor**

Menjëherë pas mbërritjes, ata do të ekzaminohen nga mjekët në bordin e një anijeje luftarake amerikane të dërguar për t’i marrë. Më pas, do të transportohen me helikopter në tokë dhe prej andej me avion drejt Qendrës Hapësinore Johnson të NASA-s në Houston.

Qëndrimi në hapësirë ka qenë fizikisht mjaft lodhës për ekuipazhin e “Artemis II”. Pa ndikimin e gravitetit, në hapësirë ndodh një reduktim i masës muskulore dhe kockore. Muskujt më të prekur janë ata që ndihmojnë në mbajtjen e qëndrimit të trupit, si ata të shpinës, qafës dhe pulpave. Astronautët ndjekin regjime të rrepta ushtrimore, por kjo nuk e ndalon plotësisht dobësimin e muskujve. Pas vetëm dy javësh, masa muskulore mund të reduktohet deri në 20%.

Megjithatë, duhet theksuar se rreth 700 persona kanë udhëtuar më parë në hapësirë, përfshirë orbitën e ulët të Tokës. Koha që ekuipazhi i “Artemis II” kaloi në hapësirë është ndër më të shkurtrave. Gjatë epokës së navetave hapësinore (1981–2011), astronautët qëndronin dy deri në tre javë. Ndërsa sot, një qëndrim tipik në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor zgjat pesë deri në gjashtë muaj. Prandaj, ndikimi në shëndetin e astronautëve të “Artemis II” pritet të jetë minimal krahasuar me paraardhësit e tyre.

**Si është të kthehesh në Tokë pas një qëndrimi në hapësirë?**

Astronautët janë psikologjikisht të qëndrueshëm dhe të balancuar, si nga natyra, ashtu edhe nga trajnimi intensiv, ndaj nuk pritet të ketë rrëfime për ndonjë “kolaps emocional” pas kthimit nga hapësira. Koch ka shprehur tashmë se do t’i mungojë “puna në ekip dhe shoqëria”, si dhe “ndjenja e përbashkët e qëllimit gjatë misionit”.

Shumë astronautë flasin për një vlerësim të thellë të unikitetit të Tokës dhe për faktin se të gjithë njerëzit ndajnë këtë planet së bashku. “Duke parë planetin tonë të rrethuar nga errësira e hapësirës, vërtet theksohet sa të ngjashëm jemi dhe si e njëjta gjë mban gjallë çdo njeri në Tokë,” – citoi Koch nga hapësira.

Shumica e astronautëve, përfshirë edhe astronauten e parë britanike Helen Sharman, kanë përshkruar dëshirën për të mos u kthyer në Tokë, pasi puna në hapësirë është tejet emocionuese.

Pas kësaj, vëmendja do t’i kushtohet ribashkimit të tyre me familjet. Ndër planet e tyre të ardhshme përfshihen një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe pjesëmarrja në misione të tjera drejt Hënës.