Grupi Punues për Strategjinë e Apelit në Hagë u plotësua: Kuvendi përfaqësohet nga Çitaku, partitë emërojnë deputetët e tyre
Është plotësuar përbërja e Grupit Punues, i cili do të hartojë dhe harmonizojë strategjinë shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Emrat e përfaqësuesve të partive politike, të cilët do të jenë pjesë e këtij grupi, u bënë publik gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit.
Kryesia e Kuvendit vendosi që institucioni legjislativ të përfaqësohet në këtë grup nga nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku.
Lëvizja Vetëvendosje do të përfaqësohet nga deputeti Adnan Rrustemi, Partia Demokratike e Kosovës nga deputeti Uran Ismaili, Lidhja Demokratike e Kosovës nga deputeti Kujtim Shala dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga deputeti Bekë Berisha.
Më herët, Qeveria kishte njoftuar se kryetar i këtij grupi do të jetë zëvendëskryeministri i parë, Glauk Konjufca.
Deri tani, nuk është bërë i ditur përfaqësuesi i Presidencës në këtë grup.
Pas mbledhjes së Kryesisë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, theksoi se e mirëpriti vendimin e Qeverisë për themelimin e këtij grupi punues.
Ajo deklaroi: “Kryesia e Kuvendit ka caktuar nënkryetaren e Kuvendit, Vlora Çitaku, si anëtare në grupin punues për harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë. Si kryetare e Kuvendit, unë kam thirrur në vazhdimësi takime me anëtarët e tjerë, me qëllim që Kuvendi i Republikës së Kosovës të japë kontributin maksimal.”
Haxhiu shtoi se në këtë grup do të ftohen edhe ekspertë të fushave të ndryshme.
