Tahiri: Në Kosovë varfëri, për Shqipërinë na djeg zemra

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka theksuar se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme të thella në shëndetësi dhe arsim. Ai shtoi se zhvillimet aktuale në Shqipëri prekin ndjeshëm emocionalisht shqiptarët kudo që ndodhen.

Tahiri ka detajuar vështirësitë me të cilat ndeshen qytetarët në sistemin shëndetësor dhe në institucionet publike arsimore, duke theksuar se këto çështje janë të njohura gjerësisht përmes përvojës së përditshme.

“Lidhur me shëndetësinë, kur përballesh me QKUK-në, e kupton se çfarë do të thotë të shoqërosh nënën, babanë, djalin apo vajzën. Edhe sa i përket arsimit, ne që i kemi fëmijët në shkolla publike, i njohim problemet thelbësore”, ka theksuar Tahiri.

Më tej, ai ka shtuar se situatat e vështira dhe sfidat që përjeton Shqipëria shkaktojnë dhembje dhe shqetësim të thellë te shqiptarët.

“Çfarë shohim në Shqipëri, na dhemb zemra, nuk na vjen mirë. Kushdo që frymon dhe mendon shqip, kur e sheh se si ‘digjet’ Shqipëria, i dhemb zemra dhe nuk qëndron rehat në shtëpi”, ka deklaruar Tahiri.