Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, i cili ka vendosur të mos subvencionojë bujqit që prodhojnë më pak se 3450 kg grurë për hektar.

Bajrami, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, theksoi se ekonomia nuk zhvillohet duke ndëshkuar punëtorin dhe duke dekurajuar prodhimin. Ajo shtoi se ky vendim po e vë në provë durimin e punëtorëve të vendit.

Në postimin e saj të plotë, deputetja Bajrami shtron disa pyetje dhe kritika:

“KUSH E MBAN PËRGJEGJËSINË PËR RENDIMENTIN E QEVERISË?!

Me vendim, Armend Muja paska vendosur që bujqit që prodhojnë më pak se 3450 kg grurë për hektar të mos marrin asnjë cent subvencion.

A e dini ju sa mund, sa punë e sa shpenzime kërkon punimi i tokës, mbjellja dhe korrja?

A e dini që rendimenti nuk varet vetëm nga puna e bujkut, por edhe nga kushtet klimatike?

A e dini çfarë dëmesh kanë shkaktuar reshjet këtë vit në bujqësi? E ju, në vend që t’u dilni në ndihmë bujqve të dëmtuar, merrni vendime që ua vështirësojnë edhe më shumë punën dhe jetën.

A e dini që puna dhe djersa e këtyre njerëzve mbushin sofrat tona çdo ditë?!

Ekonomia nuk zhvillohet duke ndëshkuar punëtorin dhe duke dekurajuar prodhimin. Shteti nuk ndërtohet duke i lënë pa mbështetje ata që punojnë, investojnë e krijojnë vlerë në këtë vend.

Po e vini në provë serioze durimin e njerëzve punëtorë të këtij vendi, le ta dini.

P.S. Imagjinoni sikur t’ia masim rendimentin Armend Mujës dhe qeverisë Kurti me të njëjtin standard që këta po ua masin bujqve, atëherë, ata do të duhet t’i kthenin në buxhet pagat që i kanë marrë ndër gjashtë vjet. Ku janë rezultatet, ku janë projektet, ku është zhvillimi që ua kanë premtuar qytetarëve?”