Babai i Auron Ferizit, Arton Ferizi, ka kërkuar drejtësi për të birin, një ditë para shpalljes së aktgjykimit për vrasjen e tij.

I ftuar në emisionin “Kosova Live”, Arton Ferizi, mes lotësh, ka thënë se kërkon që personi i akuzuar për vrasjen e djalit të tij të marrë dënimin e merituar nga organet e drejtësisë.

“Unë kërkoj drejtësi për djalin tim, që ky person ta marrë dënimin e merituar prej organeve shtetërore. Unë kërkoj burgim të përjetshëm për këtë person, edhe pse burgimi i përjetshëm nuk ma lehtëson dhimbjen dhe nuk ma kthen djalin”, ka deklaruar ai.

Ferizi ka rrëfyer edhe për dhimbjen që po përjeton pas humbjes së të birit, duke thënë se nuk kalojnë pesë minuta pa e menduar atë.

“S’kalojnë pesë minuta që s’e mendoj djalin tem. Auroni s’më kthehet më, së paku burgim të përjetshëm për të akuzuarin”, ka thënë ai.

Auron Ferizi, 20-vjeçar, humbi jetën pas një ngjarjeje të rëndë që ndodhi më 8 shtator 2025, në parkun “Bafti Haxhiu” në Viti.

Sipas të dhënave për rastin, 21-vjeçari Egzon Shallti, i dyshuar se po drejtonte një veturë të tipit “Opel Insignia”, goditi disa karrige dhe pesë persona. Si pasojë, Auron Ferizi pësoi lëndime të rënda dhe më vonë ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Rasti është cilësuar si vrasje e rëndë, ndërsa aktgjykimi për të akuzuarin pritet të shpallet nesër.