Në Gjykatën e Apelit në seancën e kolegjit të hënën u elaboruan ankesat e mbrojtjes në rastin ndaj dy të akuzuarve Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, të dënuar nga shkalla e parë për krime lufte në fshatin Reznik të Vushtrrisë. Mbrojtja kërkoi lirimin e të akuzuarve.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 mars 2026, Kostiqin e kishte dënuar me 15 vjet burgim, ndërkaq Miloviqin me 7, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kostiq, avokati Predrag Miljkoviq ka parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.

Miljkoviq ka propozuar që Apeli të anulojë aktgjykimin e ankimuar dhe çështjen ta kathejë në rivendosje, përkatësisht të ndryshojë aktgjykimin dhe ta lirojë të akuzuarin Kostiq nga akuza.

Po ashtu, ankesë të përbashkët kanë parashtruar mbrojtësit e të akuzuarit Miloviq, avokatët Mahmut Halimi dhe Millosh Deleviq, për shkak të të gjitha bazave ankimore, me propozim që ankesa e tyre të aprovohet si e bazuar dhe Apeli të lirojë të mbrojturin e tyre.

Ndërsa, Prokuroria e Apelit në parashtresën e saj, Apelit i ka propozuar që ankesat e mbrojtësve të refuzohen si të pabazuara.

Në këtë seance, i dëmtuari Vesel Latifi deklaroi se i bashkëngjitet propozimit  të Prokurorisë, duke thënë se dëmini me burgim prej 15 vite nuk mjafton për kryerjen e krimeve të luftës.

Ndërkaq, avokati Miljkoviq, në elaborimin e ankesës së tij, deklaroi se aktgjykimi i shkallës së parë fillon prej një premise të gabuar për përgjegjësinë kolektive, duke thënë se nuk mjafton të vërtetohet se i akuzuari ka qenë pejsëtar i forcave të armatosura dhe se ka qenë i pranishëm në ngjarje.

Ai shtoi se në arsyetim, aktgjykimi i Themelores është e paqartë se i cilave forca ka qenë pjesëtar i akuzuari Kostiq.

Në vijim, avokati Miljkoviq deklaroi se nga 17 dëshitarë në shqyrtimin gjyqësor, vetëm 4 prej tyre e kanë lidhur të akuzuarin Kostiq me ngjarjet, duke shtuar se ka pasur shumë kundërthënie në deklaratat e ndryshme të këtyre dëshmitarëve dhe se Themelorja nuk ka arsyetuar pse janë të besueshme deklaratat e dhëna gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe jo ato të mëparshmet.

Po ashtu, avokati Miljkoviq deklaroi se në 85 faqe të aktgjykimit të Themelores, nuk ka asnjë fjalë për provat materiale të dorëzuara nga mbrojtja dhe se provat materiale të dorëzuara nga Prokuroria Speciale nuk mund të pranohen.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Miloviq, avokati Mahmut Halimi deklaroi se qëndron në tërësi pranë ankesës së ushtruar dhe të gjitha propozimeve të përmendura në këtë ankesë.

Në elaborimin e ankesës, Halimi deklaroi se në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar, mungon sqarimin lidhur me arsyetimin se pse nje version i caktuar i një deklarate pranohet, ndërsa një version tjetër refuzohet, veçanërisht kur kundërthëniet në mes të dekaratave i referohen identitetit të kyerësit dhe qëllimit të tij.

Po ashtu, avokati Halimi deklaroi se i akuzauri nuk duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e të tjerëve, por duhet të mbahet përgjegjës vetëm për veprimet e tij.

Halimi deklaroi edhe një herë se në bazë të të gjitha pretendimeve të tij, mbetet në tërësi pranë propzimeve në ankesën e parashtruar.

Rasti po gjykohet në Apel me kryetare të kolegjit gjykatësen Albina Shabani-Rama, Vaton Durguti-gjyqtar referues dhe Mentor Bajraktari- anëtar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2024, i akuzuari Zoran Kostiq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani gjatë një aksioni të mirë-organizuar, pasi që forcat serbe ishin vendosur në shtëpinë e Sh.Z, të cilën policia dhe ushtria serbe e ka shfrytëzuar si shtab, ditën kritike në ofensivën e ushtrisë serbe kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, në mesin e pjesëtarëve tjerë të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, ishte edhe i akuzuari Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik, si: I.U, M.U me bashkëshorte, B.U, F.U, S.U, F.U., (të familjes Ujkani) po ashtu në ditën kritike vriten edhe T.U me bashkëshorten H.U, dhe me qëllim për t’-i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani (këtë ngjarje e ka parë dëshmitari B.U).

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 22 maj 1999, i akuzuari Kostiq në bashkëkryerje me persona tjerë të paidentifikuar kishte urdhëruar dëbimin e popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre, duke i detyruar të vazhdojnë në drejtim të varrezave të qytetit e duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku në atë turmë ishin pjesëtarët e familjes Dallku- M.D, A.D, F.D, E.D, SH.D, V.D, V.D,V.D, L.LL dhe tre persona me mbiemrin Haliti.

Gjatë rrugës për te varrezat e qytetit, polici serb M.C., i thotë të akuzuarit Kostiq “ti e din fare të bësh me kta” dhe aty fillojnë t’i rrahin civilët me mjete të forta si gyp metalik, shkopinj të fortë të drurit, kondak të automatikut e të tjera, pastaj i kanë urdhëruar të hyjnë në dyqanin e Rashanëve, ku aty ishin edhe tre persona tjerë civilë H.H, E.H dhe N.H, pastaj të njëjtit i kanë urdhëruar prapë që të dalin nga lokali dhe të nisen para shtëpisë së S.P., ku ishin edhe disa paramilitarë me uniforma ushtarake me ngjyrë të kombinuar, të cilët kishin armë të shkurtra dhe të gjata.

Aty thuhet se i akuzuari Kostiq i veshur me uniformë policore serbe e kishte pyetur një paramilitar tjetër serb “se a e doni edhe këtë grup” ku ishin rreth 12 veta, mirëpo njëri nga paramilitarët i kishte thënë se këtu ka përfunduar çdo gjë dhe vazhdoni diku tjetër, andaj vazhduan nëpër rrugë tjera për të shkuar tek varrezat e qytetit dhe para shtëpisë se dr. Ramadan Gjoni.

Aktakuza thotë se me të ardhur aty, Kostiq kishte urdhëruar civilët të mbështeten me fytyrë nga muri me duar lartë, dhe një moment polici Kostiq ishte afruar te viktima Sh.D dhe i kishte lënë në xhepin e djathtë të xhaketës katër- pesë fishekë të armës, dhe pas pak i urdhëron t’i nxjerrin gjërat që kishin me vete, ndërsa në atë moment Sh.D i nxjerrë nga xhepi fishekët, meqë rast Kostiq i thotë “ti po bartëshe fishekë për të vrarë policë” dhe e thërret një paramilitar që ishte pa flokë, i gjatë, i armatosur dhe me veshje ushtarake, armë zjarri të gjatë dhe të shkurtër, si dhe thika dhe aty ai i ndanë Sh, S veçmas, V., N., dhe E.H., duke i futur në shtëpinë e Gjoni së bashku edhe me dy paramilitarë tjerë, dhe pas pak kohe janë dëgjuar krisma armësh dhe ishte vrarë Sh.D, kurse V., e marrin katër paramilitarë me veturë pasi që e kishin marrë vesh se i kishte dy vetura në shtëpi ia marrin ato, ndërkohë kanë filluar bombardimet nga NATO e më pastaj të gjithë personat që ishin në varrezat e qyteti në Vushtrri aty janë shpërndarë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se më 24 maj 1999, i dëmtuari -dëshmitari V.L., pasi ishte ndarë nga familja nga forcat paramilitare serbe, ishte arrestuar dhe dërguar në stacionin policor në Vushtrri, për t’u marrë në pyetje. Aty i akuzuari Kostiq e ka goditur të dëmtuarin V.L me një mjet të fortë dy-tri herë mbrapa kokës, me arsyetim se “është një terrorist i UÇK- së”, i cili nga këto goditje alivanoset.

Më këtë, në bashkëkryerje i akuzuari Kostiq ngarkohej se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSF-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës” nga neni 146, par.1 dhe 2, nënparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari Dragan Miloviq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në periudhën e luftës në Kosovë, bashkë me të tjerë me forcë i kanë dërguar diku 20 mijë banorë civilë të Vushtrrisë tek varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë maltretuar, rrahur e torturuar civilë, të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit, ku në mesin e tyre ishte edhe K.Sh., i cili e  njihte tani të akuzuarin Miloviq dhe e lut të akuzuarin që ta shpëtojë, por i njëjti i thotë “s’kam ca me të ba”.

Pastaj, thuhet se i akuzuari Miloviq së bashku me disa policë serbë të armatosur fillojnë t’i ndajnë popullatën civile shqiptare, si dhe i detyrojnë që t’i vendosin duart e lidhura pas koke dhe të bien me gjunj në kokë për toke, duke i goditur vazhdimisht disa me bastun të hekurt, e disa me shkopinj druri dhe me kondaktë të armëve.

Aktakuza thotë se në atë turmë ishte edhe A.A, K.SH, H.K, F.B, M.M, S.R, T.F e të tjerë, ku K.SH dhe A.A e kishin parë tani të akuzuarin Miloviq që ka qenë i veshur me uniformë të policisë serbe dhe pajisje të policisë, duke i goditur pandërprerë këta civilë me shkop metalik e po ashtu duke i rrahur civilët me boksa dhe shqelma, ku të njëjtit kishin arritur ta identifikojnë të akuzuarin Miloviq.

Në aktakuzë thuhet se dëshmitari A.A., sa ishte në rresht në grumbullin e personave të grumbulluar, kishte dëgjuar një polic serb duke iu drejtuar tani të akuzuarit Dragan “ndalu çka je ka ban kështu se kta gja (lopë) nuk janë”, pastaj me dhunë i kanë hipur në kamionë dhe i dërgojnë në burgun e Smrekonicës, ku janë maltretuar në mënyrat më brutale, edhe nga kryerës tjerë dhe se pas disa dite qëndrimi në burg janë depërtuar në Republikën e Shqipërisë.

Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 te KPRK, në kundërshtim me nenin e përbashkët 3 dhe 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 8 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.